Sa e lehtë është të ruhet një sekret?

  • 26 October 2019 - 12:22
Sa e lehtë është të ruhet një sekret?

Nuk është fare e lehtë të ruhen të fshehta sekretet. Edhe kur nuk duam ato mund të zbulohen për shkak të pavetëdijes sonë. Ne jemi qenie që jetojmë në bazë të komunikimit dhe ne komunikojmë në mënyra të ndryshme. Në varësi të situatës, të pranisë së njerëzve, të gjendjes shpirtërore etj.

Informacioni që ne komunikojmë shfaqet nga ajo çka personalisht ne zgjedhim të themi dhe jo nga ajo çka situata na detyron të themi. Gjithçka që njerëzit shprehin dhe thonë me fjalë ndikohet nga mënyra se si reagojmë, gjuha joverbale, shprehitë e fytyrës, të gjitha këto, transmetojnë një histori. Edhe kur nuk duam që sekretet dhe të fshehtat tona të jenë të njohura nga të tjerët, është pavetëdija dhe situata jonë psikike që na “ tradhton“.

Njerëzit janë të prirur të mbajnë sekrete. Ne i ndërtojmë ato se kemi bindjen që nuk mund të veprojmë ndryshe dhe jo për kënaqësi apo për arsye të tjera të shoqëruara me gjëndje të keqe shpirtërore. Mos harrojmë se arsyet që na shtyjnë të ruajmë sekrete dhe të mbajmë heshtjen në fakt janë të dhimbshme. Ka raste kur kemi ndjesi turpi, kur ndihemi fajtor dhe kur nuk duam të dëmtojmë imazhin personal në sy të të tjerëve. Ka raste kur detyrohemi të ruajmë sekrete me besimin për të bërë mirë , në mënyrë që të mos lëndojmë njerëzit tanë.

Sekretet na vendosin përballë një dileme të pazgjidhshme: A duhet të flas për rrezikun që paraqet diçka apo të heshtë dhe kjo mund të më shkaktojë humbje besimi tek të tjerët? A duhet të jem besnike e sekretit të prindërve dhe t’ia kursejë këtë informacion esencial vëllezerve të mi?

Cdokush ka të drejtë të njoh historinë e vet. Por a është e drejtë të thuhet gjithçka ne dimë? Si të nxjerrim një sekret, një të vërtetë, kur dhe si?

Familja dhe sekreti

Qenia njerëzore nis të jetojë që në lindje në gjirin e ngushtë familjar i rrethuar me dashuri nga prindër, motra, vëllezër edhe gjyshër. Edhe pse në prani të njerëzve më të shtrenjtë, të gjithë jemi të prekur nga kontradiktat familjare. Botëkuptime të ndryshme, temperamente jo të njëjta. Sekrete dhe ndodhi që për njërin nga familjarët duhet të ruhen të fshehta e nga dikush tjetër këto sekrete mund t’a kalojnë pragun familjar.  Sekretet familjare ndikojnë në transmetimin dhe forcimin e lidhjes brez pas brezi. E megjithatë, sekretet brenda gjirit familjar mund të kenë pasoja serioze dhe afatgjata.

A duhet të mbahen të fshehta sekretet familjare?

Sekretet janë intriguese dhe përbëjnë të gjithë misterin tonë. Ato janë gjithëpërfshirëse sepse prekin çdo sferë të jetës. Në familje, në çift, mes miqve, në punë, mes motra dhe vllezërve etj. E megjithatë, ajo që e bën të veçantë dhe intriguese sekretin është vështirësia për t’a mbajtur të fshehtë atë., ndryshe nuk do të quhej i tillë! Disa nga sekretet tona të ruajtura me fanatizëm e humbasin fuqinë dhe vlerën e tyre ndër vite e disa të tjera rrënjosin një trashëgimi që kalon nga një brez te tjetri.

Një rast tipik të sekreteve në familje

Janë të shumta rastet e fëmijëve që iu është fshehur për vitë me rradhë e vërteta se nga vinë dhe se prindi i tyre biologjik është dikush tjetër e jo ai me të cilin janë rritur. Pasojat e këtij “sekreti gënjeshtër” mund të jetë shkatërrues. Prindërit për shumë arsye e ruajnë këtë sekret për të shmangur pasojat e ndryshme. Shpeshherë nuk është ajo që themi që mban larg një sekret por pikërisht ajo që nuk themi. Ky është një rast tipik i sekreteve në familje që mund të etiketohen si sekrete të turpshme të cilat ndikojnë negativisht në komunikimin brenda familjes i cili merr përmasa të paimagjinueshme dhe të shëmtuara. Pasojat dhe rreziqet e të vërtetave mund të jenë brutale por ndodh që sekretet brenda familjes mund të jenë nxitëse të dhunës tek fëmijët. Përballja e vonë me një të vërtetë që për shumë kohë ishte sekret mund të ndikojë negativisht  në psikikën e njerëzve. Pasoja zhgënjimi, mosbesimi, tronditje të ekuilibrit ndërpersonal, frikë nga e kaluara, ndjesi turpi, mërie etj.

Të bësh dallimin midis sekreteve të mira dhe të këqija

Në fakt, jo të gjitha sekretet janë të dëmshme. Disa prej tyre janë të paevitueshme dhe të domosdoshme.

Një specialist i terapisë familjare vlerëson 4 tipe sekretesh:

Sekretet e mira konsiderohen:

Sekreet të cilat kontribuojnë në mirëqenien dhe në përmbushjen e identitetit tonë. Janë pikërisht “sekretet e buta“, të lehta dhe shpeshherë të gëzueshme si psh( përgatitja e një ditëlindje, përgatitja e një propozimi për martesë, zgjedhja e emrit të bebes…) dhe “sekretet esenciale“ që i referohen dobësive, komplekseve dhe vështirësive tona si psh ( reflektimet tona personale që i ruajmë në ditar, besimi që i falim një mikeje të shtrenjtë në momentet tona më të vështira dhe më intime..)

Sekretet e këqija konsiderohen:

Sekretet që paraqesin një kërcënim për poseduesin e tyre. Mund të quhen si “sekrete toksike“ të cilat përmbledhin sekrete tipike klasike të familjes si psh( vetvrasjen e një të afërmi të maskuar si një aksident, një fëmijë i paligjshëm në familje etj) si dhe “sekretet e rrezikshme“ që lidhen me kërcënimin e integritetit moral dhe fizik të një personi si psh( një burrë që abuzon fizikisht mbi gruan e tij, një i afërm që abuzon seksualisht me një familjare të tij etj ).

Në shumicën e rasteve, heshtja dhe sekreti ruhet nga një lojë e dyfishtë: Nga kërcënuesi që e bën të besojë viktimën se nëse e zbulon të vërtetën do të jetë shumë keq për të duke i bërë një shantazh emocional dhe nga mjedisi përreth që rrëfuzon të shikojë realitetin.

Edhe pse në botë po bëhet gjithnjë e më shumë një propagandë për komunikimin mes njëri-tjetrit që rrjedhimisht synon në mos fshehjen e e gjërave mes nesh, është mirë të respektojmë sa më shumë nocionin e jetës private, të kopështit tonë sekret!

(Kosova Sot Online)