Ushtroni si yjet e Hollivudit!

  • 22 November 2019 - 09:16
Ushtroni si yjet e Hollivudit!

Para se t'ia mësyni palestrës dhe t'ia filloni dietës, hulumtojeni trupin tuaj dhe kuptojeni se cilat ushtrime do t'ju sjellin rezultatet më të mira. Trajneri personal i bukurosheve të njohura, Matt Roberts, ka kategorizuar ushtrimet, varësisht nga ndërtimi i trupit të femrës. Ai përkujdeset për dukjen e aktoreve dhe këngëtareve, si Jennifer Lopez, Catherine Zeta-Jones dhe Beyonce, dhe konsideron se ekzistojnë katër lloje të trupit të femrës: 'dardhë', 'mollë', 'orë me rërë' dhe 'gyp'.

FORMA E TRUPIT "DARDHË"

Trupi: Kofshë të theksuara, prapanicë dhe ije ku lehtë grumbullohen shtresat dhjamore. Yjet e njohura: Beyonce, Rihanna, Jennifer Lopez. Ushtrimet: Ecja nëpër bjeshkë dhe vrapimi. Ushtrime intensive me intervale të shkurta për pjesën e poshtme të trupit, ushtrime këto që djegin kaloritë dhe përshpejtojnë metabolizmin.

FORMA E TRUPIT "MOLLË"

Trupi: Këmbë vitale dhe kofshë të ngushta. Shtresat dhjamore më së shumti grumbullohen përreth belit dhe në pjesën e sipërme të trupit. Yjet e njohura: Catherine Zeta Jones, Melanie Griffith, Drew Barrymore. Ushtrimet: Ushtrime në intervale, kardio-ushtrime si vrapim dhe ngasje e biçikletës, ushtrime këto që shkrijnë kaloritë. Bëni ushtrime të forta për pjesën e poshtme të trupit. Shmangni ushtrimet me pesha të rënda në pjesën e sipërme të trupit.

FORMA E TRUPIT "ORË ME RËRË"

Trupi: Beli i ngushtë, gjoks të theksuar dhe ije. Grumbullimi i shtresave dhjamore te kjo formë e trupit është e barabartë pothuajse në të gjitha pjesët e trupit. Yjet e njohura: Kate Winslet, Sofia Vergara, Salma Hayek. Ushtrimet: Vrapimi, vallëzimi dhe ushtrimet intensive kardiovaskulare. Kujdes me ushqimin dhe dietat drastike në mënyrë që të mos i humbni format natyrale të trupit.

FORMA E TRUPIT "GYP"

Trupi: Gjoks të vogël, kofshë të ngushta dhe bel pak të theksuar. Yjet e njohura: Taylor Swift, Keira Knightley, Emma Watson. Ushtrimet: Shtoni konsumimin e proteinave dhe forconi masën muskulore. Kombinimi i ushtrimeve kardio dhe ushtrimet e forcës do të ndikonin në shtimin e masës muskulore.

(Kosova Sot Online)