Të jesh vetëm në mbrëmjen e Vitit të Ri

  • 25 December 2019 - 11:28
Të jesh vetëm në mbrëmjen e Vitit të Ri

Të jesh vetëm nuk do të thotë të ndihesh i vetmuar apo i trishtuar. Ndjesia e vetmisë mund të jetohet edhe atëherë kur jemi pranë njerëzve dhe sërish ndihemi bosh e jo të lumtur. Të qenit i vetëm edhe për festa mund të na shërbejë si një mision i brendshëm që duhet kryer dhe që mund të na vlejë. Mjafton të kemi ide dhe të improvizojmë aktivitete që i japin atmosferë ditëve festive.

Jepini rëndësi vetes suaj: Trajtojeni veten si një person shumë i rëndësishëm. Blini lule dhe qirinj, përgatisni një darkë të shijshme nën shoqërinë e një muzike të këndshme. Bëni një ftesë: Interesohuni nëse edhe të tjerë në punën apo ambientin tuaj rrethues janë vetëm për festa dhe kështu mund të festoni së bashku.

Bëni gëzuar në distancë: Bëni telefonata me njerëzit tuaj, të cilët nuk i keni pranë. Pranoni ftesa: Nëse dikush ju fton të organizoni diçka së bashku, mos hezitoni. Mund të kaloni bukur dhe të shmangni vetminë. Bëni punë të ndryshme: Që atmosfera të duket e ndryshuar dhe jo si në ditët e zakonshme, shijoni aktivitete që më parë nuk kishit kohë t’i bënit. Në këto ditë pushimesh organizoni lojëra e sporte, darka me kolegë, sistemoni kujtimet dhe fotografitë tuaja, shkoni në kinema apo në një shfaqje.

Krijoni një ritual: Kthehuni pas në kohë e mundohuni t’u shkruani njerëzve që keni kohë pa i parë. Telefononi një listë të gjatë njerëzish. Gatuani dhe mund t’u ofroni diçka fqinjëve tuaj në shenjë respekti dhe të shkëmbeni urime. Jini mirënjohës: Përqendrohuni në atë që keni arritur dhe që keni realizuar. Respektoni të tashmen. Mos mendoni për atë që nuk keni mundur ta bëni realitet. Të pranoni arritjet tuaja, ju bën të ndiheni optimistë për vitet që do të vijnë.

Premtojini vetes që do të jeni të lumtur dhe do t’i përjetoni bukur ditët e festave: Edhe pse mund të jeni vetëm, pa familjen, gruan apo fëmijët, mendoni që është vetëm çështje kohe. Suksesi për të pasur ditë të lumtura edhe atëherë kur jeni vetëm, qëndron tek aftësia për të shkëmbyer dashuri, vëmendje, kujtime edhe kur nuk gjendeni pranë njëri-tjetrit.

(Kosova Sot Online)