Tetë këshilla për luftimin e aromës së keqe të trupit

  • 27 maj 2020 - 15:13
Tetë këshilla për luftimin e aromës së keqe të trupit

Aroma që i vjen trupit tuaj luan një rol të rëndësishëm në perceptimin që të tjerët e krijojnë për ju, andaj është e rëndësishme që të kujdeseni që aroma e trupit tuaj të jetë e këndshme. Më poshtë mund të lexoni për disa këshilla të pazakonta, që ju ndihmojnë në këtë mision.

PËRDORNI PUDËR FOSHNJASH!

Njëra nga pjesët e trupit që kundërmon më së shumti, sidomos gjatë stinës së verës, janë këmbët. Pa marrë parasysh se a mbathni sandale apo këpucë, më të mbërritur në shtëpi, pasi t'i zbathni këpucët apo sandalet, do të pushtoheni nga aroma e rëndë. E, nëse dëshironi që ta shmangni këtë problem të kamotshëm, hidhni pak pudër foshnjash në këpucë dhe lëreni pudrën që ta kryejë punën e vet përgjatë gjithë natës. Të nesërmen, largojeni pudrën e mbetur dhe këpucët, sikurse edhe këmbët tuaja, do të mbajnë aromë të këndshme.

TERUNI MIRË ME PESHQIR PAS DUSHIT

Megjithëse mund të tingëllojë shumë paradoksale, shumë njerëz fillojnë të kundërmojnë aromë të keqe pak kohë pasi që dalin nga dushi. Megjithatë, nëse ju jeni në mesin e personave që e përdorin peshqirin, për ta terur me kujdes lëkurën, atëherë kjo gjë nuk vlen për ju. Pra, është shumë e rëndësishme që, pasi që të dilni nga dushi, ta thani mirë çdo pjesë të lëkurës, në mënyrë që mos krijoni kushte të përshtatshme për zhvillimin e baktereve, që më pas ndikojnë në aromën e keqe, në gjithë trupin tuaj.

MOS E SHMANGNI PËRDORIMIN E SHAMPONIT!

Ndonëse mund të keni dëgjuar që përdorimi i tepërt i shamponit në flokët tuaj mund ta largojë yndyrën natyrale nga to, duke ndikuar kështu në dëmtimin e tyre, megjithatë është shumë e rëndësishme ta dini që, nëse nuk i pastroni flokët tuaj çdo ditë, ata do të fillojnë të kundërmojnë një aromë tepër të keqe.

PËRDORIMI I DEODORANTIT

Përdorimi i deodorantit është një tjetër veprim i domosdoshëm në rutinën tuaj për kujdes ndaj lëkurës, sidomos nëse edhe ju jeni duke bërë përpjekje ta luftoni aromën e keqe, që shpeshherë bëhet më e dukshme gjatë ditëve të nxehta të verës. Andaj, përdoreni deodorantin në baza ditore, shpeshherë edhe më shumë se një herë në ditë, nëse dëshironi që ta parandaloni djersitjen e tepërt.

PASTROJENI EDHE GJUHËN

Aroma e keqe, që kundërmon nga goja, është njëra nga gjërat që nuk dëshirohet nga asnjë njeri në botë dhe të gjithë bëjnë gjithçka që është e mundur për ta luftuar një gjë të tillë. Megjithatë, një proces shumë i rëndësishëm në parandalimin e aromës së keqe të gojës është pastrimi i rregullt i gjuhës. Madje, e mira është që ju nuk keni nevojë as për pastë dhëmbësh, pasi që gjuhën mund ta pastroni thjesht duke përdorur brushë dhe ujë.

MOS PËRDORNI ÇAMÇAKËZ!

Çamçakëzi tash e një kohë të gjatë shihet si një alternativë e përkryer për zëvendësimin e pastës së dhëmbëve, normalisht, në situatat kur nuk mund ta siguroni brushën dhe pastën. Megjithatë, për habinë tuaj, çamçakëzi nuk është alternativë e përshtatshme për luftimin e aromës së pakëndshme të gojës, pasi që ai shkakton telashe në zorrën e trashë, duke ndikuar kështu në krijimin e gazrave të pakëndshëm. Andaj, shmangeni sa më tepër që keni mundësi përdorimin e çamçakëzit.

KONSUMONI KARBOHIDRATE!

Megjithëse mund të jeni këshilluar që të mos përdorni karbohidrate në dietën tuaj, duhet ta keni parasysh faktin që ushqimet, të cilat nuk përmbajnë sasi të nevojshme të karbohidrateve, e lënë një aromë të padëshiruar, që mund të luftohet vetëm nga dietat që përmbajnë karbohidrate. Andaj, për hir të aromës së gojës suaj, filloni të konsumoni më shumë karbohidrate.

PROVOJENI SHALQIRIN!

Shalqiri është një ushqim shumë i rëndësishëm, sidomos për stinën më të nxehtë të vitit. Përveçqë mund ta konsumoni, shalqiri, që është një pemë hidratuese, mund të përdoret edhe si deodorant natyral. Thjesht, nxirreni pak lëng shalqiri dhe përdoreni në vend të deodorantit, për ta shmangur kështu aromën e keqe.

(Kosova Sot Online)