Këshilla për reduktimin e poreve të hapura në mënyrë natyrale

  • E.K /
  • 23 June 2020 - 15:05
Këshilla për reduktimin e poreve të hapura në mënyrë natyrale

Poret e hapura mund të bëjnë që lëkura juaj të duket shumë e thatë dhe e dëmtuar. Ndonëse nuk ekziston ndonjë mundësi për largimin e përhershëm të poreve të gjera, ajo që mund ta bëni është t’i reduktoni, e për t’iu ndihmuar në këtë drejtim, iu kemi sjellë disa nga metodat më të përshtatshme. 

Para se t’i provoni këshillat e mëposhtme, pastrojeni dhe thajeni fytyrën tuaj.

Maska me domate

Copëtojeni një domate, hiqjani farat dhe shtypeni mirë. Aplikojeni domaten në lëkurë të fytyrës dhe lëreni të qëndrojë për pesë minuta. Përfundimisht, pastrojeni fytyrën me ujë të ftohtë dhe si rezultat poret tuaja do të zvogëlohen. Një tjetër alternativë e përshtatshme me domate është edhe ndarja e domates në rriska dhe vendosja e tyre në pjesët e lëkurës, ku keni më së shumti telashe. Lërini rriskat e domates të qëndrojnë në kontakt me lëkurën për pesë minuta. Gjithashtu, ju mund ta përdorni lëngun e domates në kombinim me disa pika të lëngut të limonit, për ta ndritur lëkurën dhe për t’i reduktuar poret.

Lëngu i limonit dhe kivi

Përzieni një gjysmë luge çaji lëng limoni dhe gjysmë luge çaji kivi të qëruar e të shtypur. Pastës së fituar shtojani edhe një gjysmë luge çaji ujë dhe përzieni mirë. Përzierjen e fituar aplikojeni në fytyrë, lëreni të qëndrojë për pesëmbëdhjetë minuta dhe largojeni me ujë të ftohtë. Përsëriteni këtë metodë çdo ditë dhe madhësia e poreve tuaja do të reduktohet.

Të bardhtë e vezës me lëng limoni

Hidhni tri pika lëng limoni në të bardhtë e një veze dhe përzieni mirë, derisa përzierja të shkumëzojë. Përzierjen e fituar aplikojeni në fytyrë me një brushë të butë dhe lëreni të qëndrojë për pesë minuta. Përfundimisht, pastrojeni fytyrën me ujë të ftohtë.

Maska me mjaltë dhe miell

Krijojeni këtë maskë duke përdorur një lugë gjelle miell dhe një lugë çaji mjaltë. Pasi që t’i keni përzier mirë përbërësit, vendosini në pjesët e lëkurës ku keni më së shumti telashe dhe lëreni të qëndrojë për pesëmbëdhjetë minuta, para se ta pastroni fytyrën me ujë të ftohtë.

Vaji i lajthisë

Aplikojeni vajin e lajthisë drejtpërsëdrejti në lëkurë, pasi që ky lloj vaji është i mrekullueshëm në shtrëngimin e poreve. Pas aplikimit të këtij vaji, trajtojeni lëkurën me zbutës të zakonshëm.

Maska me papajë

Qërojeni një papajë dhe largojani farat. Shtypeni mirë derisa të krijohet një lloj paste. Papajën e shtypur aplikojeni në fytyrë dhe lëreni të qëndrojë për pesëmbëdhjetë minuta, para se ta largoni me ujë.

Këshillë: Përdorni produkte jo të yndyrshme në fytyrë, pasi që produktet e tilla janë të mrekullueshme në bllokimin e pluhurit dhe vajit, për të mos qenë në kontakt me poret. Gjithashtu, konsumoni shumë ujë për ta mbajtur lëkurën e hidratuar.

(Kosova Sot Online)