Pesë trendët e kësaj vjeshte

  • E.K /
  • 26 June 2020 - 15:17
Pesë trendët e kësaj vjeshte

Kur bëhet fjalë për trendët e sezonit të ardhshëm, sikur edhe çdo vit, do të ketë stile të ndryshme, por ne jua sjellim disa trendë, të cilët do të jenë të popullarizuar.

TË SHTATËDHJETAT, MODA E HIPIKËVE, THEKAT DHE ROMANTIKA

Të shtatëdhjetat janë në fron kur bëhet fjalë për trendët për tashmë një kohë, ndërsa ky trend vazhdon edhe në vjeshtë. Retro moda, stili bohem dhe thekat do të mbizotërojnë në rrugë edhe gjatë kësaj vjeshte. Këtë trend në pista të modës e kanë përqafuar edhe shumë disenjatorë, si: Roberto Cavalli, Bottego Veneta, Michael Kors, Carolina Herrera dhe shumë të tjerë.

STILET PËR MESHKUJ DHE VESHJET E MËDHA

Shumë disenjatorë në javët e modës kanë paraqitur trendin i cili gjithnjë e më shumë po kthehet në modë, ndërsa bëhet fjalë për veshje të frymëzuara nga veshjet për meshkuj. Pra, do të vishen veshje tepër të mëdha, duke filluar nga palltot, xhaketat, setrat e deri te fustanet e ndryshme. 'Balenciaga', 'Givenchy', 'Alexander Wang' dhe 'Gucci' janë vetëm disa nga shtëpitë e modës modelet e të cilave janë paraqitur në pista të veshura me veshje të mëdha dhe me stile meshkujsh.

PANTALLONAT 'CULOTTE'

Pantallonat e gjera me stil të pazakontë janë prezantuar qysh në koleksionin për pranverë dhe verë, ndërsa trendi vazhdon edhe në sezonin e ardhshëm. Pantallonat 'Culotte' janë në fakt pantallona të gjera, të njohura te ne si tri-çerekshe. Edhe pse në shikim të parë mund mos duken tërheqëse, janë shumë të rehatshme dhe fshehin mirë të gjitha mangësitë trupore.

NGJYRAT E NDRITSHME

Një ndër trendët e mëdhenj, por edhe jo tipikë të vjeshtës janë ngjyrat e ndritshme. Disa nga disenjatorët i kanë kombinuar me veshje me tone të errëta, derisa të tjerët kanë vendosur për kombinime të plota me ngjyra të ndryshme që bien në sy. Duke pasur parasysh se njerëzit janë më të ndjeshëm ndaj depresionit gjatë muajve të ftohtë, këto ngjyra do të ndihmojnë që ta largojmë zymtinë që na ndjekë gjatë atyre ditëve.

GËZOFI

Një ndër trendët e parë më së shpeshti në javën e modës në Nju Jork ka qenë gëzofi. Një numër i madh i disenjatorëve ka aprovuar gëzofin artificial, gjë që është e mirë pasi që dihet se asnjë kafshë nuk ka pasur nevojë të vritet për hir të modës. Mara Hoffman Michael Kors dhe Emilio Pucci janë vetëm disa nga disenjatorët, të cilët gëzofin e kanë prezantuar si një ndër trendët kryesorë për sezonin e ardhshëm.

(Kosova Sot Online)