Parandaloni rrudhat e parakohshme duke ndjekur këshillat e mëposhtme

  • E.K /
  • 22 July 2020 - 15:17
Parandaloni rrudhat e parakohshme duke ndjekur këshillat e mëposhtme

Rrudhat janë shenjat më evidente të pleqërisë, ndërsa trajtimet për eliminimin e tyre -operacionet, laseri e tërheqjet e fytyrës - janë sa të shtrenjta, aq edhe të rrezikshme. Andaj, gjëja më e mirë që mund dhe duhet ta bëni është ta parandaloni shfaqjen e tyre, nëpërmjet përdorimit të këtyre ilaçeve natyrale.

1. VAJRAT

Vaji i kokosit është shumë i pasur me antioksidues dhe si rrjedhojë mund ta parandalojë formimin e radikalëve të lirë, që janë edhe shkaktarët më të mëdhenj të shfaqjes së rrudhave në moshë të hershme. Ky lloj vaji është një zbutës i shkëlqyer dhe përveçqë parandalon rrudhat, ndikon edhe në trajtimin e rrudhave të vogla, që kanë filluar të shfaqen. Vaji i ullirit, në anën tjetër, për herë të parë ishte përdorur para 5.000 vjetësh, kur ishte nxjerrë nga trungu i ullirit, të cilin më pas egjiptianët me shpejtësi e kishin adaptuar, për ta përdorur si produkt kozmetik. Edhe ky vaj i lufton radikalët e lirë, për shkak se është i pasur me antioksidues, vitaminë A dhe E.

2. VITAMINA C

Kur jeni e re, lëkura është e mbushur përplot vitamina të rëndësishme, mirëpo, me kalimin e kohës, kur ju plakeni, vitaminat humbasin, andaj është e rëndësishme që vitaminat e trupit të zëvendësohen me vitaminë nga ushqimet. Përveç marrjes së tabletave të vitaminës C dhe konsumimit të ushqimeve të pasura me këtë lloj vitamine, lëkurën mund ta trajtoni edhe me vitaminë C, që është e krijuar të aplikohet drejtpërsëdrejti në lëkurë. Siç edhe mund ta dini, vitamina C gjendet në masë të madhe në pemë dhe perime.

3. INVESTONI NË JASTËK TË PËRSHTATSHËM

Ne e kalojnë një të tretën e jetës në gjumë, andaj edhe është e rëndësishme të investojmë në jastëkun ku flemë. Për më tepër, jastëku luan një rol shumë të madh në shfaqjen e rrudhave. Rekomandohet të flini në jastëk që ka mbështjellës të punuar nga sateni. Për më tepër, ekspertët e bukurisë rekomandojnë të flini në shpinë, që ta shmangni kontaktin e lëkurës me jastëkun.

4. MJALTI DHE LËNGU I LIMONIT

Një ilaç natyral, që përdoret për reduktimin e rrudhave të dukshme pak kohë para se të dilni nga shtëpia, ta vini grimin apo ta pastroni fytyrën është përzierja e lëngut të limonit me mjaltë. Thjesht, aplikoni përzierjen e fituar nga lëngu i limonit dhe mjalti në fytyrë, lëreni të qëndrojë për rreth dhjetë minuta, para se ta pastroni me ujë të ftohtë. Përveç reduktimit të rrudhave të dukshme, ky ilaç bën që lëkura juaj të mbetet më e butë dhe me aromë më të këndshme.

5. MASKA ME TË BARDHTË E VEZËS

Përzieni të bardhtë e një veze me një lugë çaji lëng limoni të freskët dhe një gjysmë luge çaji mjaltë, për ta krijuar maskën që ju ndihmon t'i luftoni bakteret në fytyrë. Femrat me lëkurë të yndyrshme do të përfitojnë më së shumti nga përbërësit e fuqishëm që gjenden në të bardhtë e vezës. Veza ndihmon edhe në shtrëngimin e lëkurës dhe reduktimin e poreve të gjera, duke minimizuar mundësitë e shfaqjes së rrudhave të parakohshme.

6. MASAZHI

Nëse dëshironi që t'i parandaloni rrudhat e parakohshme, bëjini masazh fytyrës suaj. E, për ta bërë një gjë të tillë duhet të përdorni gishtin tregues dhe atë të mesëm, për të bërë rreth njëzet lëvizje rrethore në pjesën e lëkurës në mes të vetullave. Ky masazh do t'ju ndihmojë që t'i qetësoni muskujt dhe lëkurën, duke i shtyrë muskujt që të mos bëjnë lëvizje të vogla, të panevojshme që shkaktojnë rrudhat.

7. MASKA ME JOGURT DHE TRANGULL

Shtypeni një gjysmë trangulli mesatar dhe përzieni me disa fletë mente, para se të dy përbërësit t'i hidhni në 120 mililitra jogurt grek. Përzierjen e fituar futeni në frigorifer për ta krijuar kështu një maskë të shkëlqyer për hidratim. Trangulli përmban vitaminat B1, B2, B3, B5, B6, acid folik, vitaminë C, kalcium, hekur, magnez, fosfor, kalium dhe zink. Të gjithë këta përbërës janë të rëndësishëm për shtrëngimin e lëkurës, proces ky që ju ndihmon ta parandaloni shfaqjen e rrudhave.

(Kosova Sot Online)