Psikologjia e të qenit femër

  • E.K /
  • 29 January 2021 - 09:47
Psikologjia e të qenit femër

Asnjë burri nuk i ka ndodhur ndonjëherë të thotë se nuk e kupton fare universin femëror? Është një gjë që ndodh shumë më shpesh nga sa mund të imagjinohet, por e vërteta është që ka disa arsye të qarta se përse meshkujt dhe femrat duket se janë dy botë të kundërta. Ja se cili është sekreti për t’u kuptuar me njëri-tjetrin…

Sa herë ju ka ndodhur të keni të bëni me një njeri të seksit të kundërt dhe të mos jeni fare dakord me sjelljet e tij? Në kundërshtim të asaj që mund të mendoni, është një gjë që ndodh shumë shpesh, pavarësisht faktit nëse i përket gjinisë mashkullore apo femërore. Meshkujt e femrat, në fakt, duket se janë dy botë të kundërta, por e vërteta është se pas mënyrës së tyre të ndryshme të të vepruarit, ekzistojnë disa arsye të qarta të natyrës së zhvillimit. Ja se cilat janë diferencat mes psikologjisë mashkullore dhe asaj femërore, si dhe çfarë duhet të bëni për të gjetur një pikëtakimi dhe të kuptoheni me njëri-tjetrin.

Pse femrat dhe meshkujt janë kaq të ndryshëm?

Është e kotë ta mohojmë, femrat dhe meshkujt janë dy botë krejtësisht të kundërta dhe është pikërisht për këtë arsye që në shumicën e herëve nuk arrijnë të kuptohen dhe të gjejnë një pikë të përbashkët. Nëse zakonisht meshkujt shfaqen të fortë, aq shumë sa pothuajse duken sikur nuk kanë ndjenja, femrat kanë një anë emotive më të zhvilluar. Meshkujt janë praktikë dhe linearë, ndërsa femrat ndjekin instinktin dhe janë shumë më tepër të ndjeshme. Ndaj, nga ky këndvështrim, nuk të habit fakti që meshkujt ndihen të tërhequr më shumë nga aspekti fizik i një partnereje të mundshme. E kundërta ndodh me femrat, ato tërhiqen nga karakteri më shumë se sa nga fiziku.

Pas këtyre diferencave, nuk fshihet thjesht një mënyrë të menduari e kundërt, por është çështje zhvillimore. Gjithmonë femrat janë krijueset e jetës dhe natyrshëm duhet të jenë në gjendje të njohin ndjenjat, në mënyrë që të kuptojnë se cilat janë nevojat e fëmijëve të tyre. Në mënyrë të paevitueshme kjo gjë i ka shtyrë të zhvillojnë një empati të madhe dhe emotive. Nga ana tjetër, për meshkujt, të bëhesh prind gjithmonë ka pasur një kuptim tjetër. Në parahistori kishte kuptimin të shkonte për gjah dhe të bënte gjeste materiale për të mbështetur të voglin, të gjitha gjëra që e kanë detyruar të zhvillojë logjikën në vend të ndjenjave. Sigurisht, ekzistojnë gjithmonë përjashtime, por është e qartë se pas diferencave të sjelljes mes dy gjinive, fshihen arsye të mirëfillta “historike”.

Si ta kuptoni një femër

Pavarësisht se janë të shumtë meshkujt që edhe pas shumë viteve përvojë deklarojnë se nuk i kuptojnë përfaqësueset e seksit të kundërt, në të vërtetë një “sekret” për t’ia dalë mbanë në mënyrë të thjeshtë, sigurisht që ekziston. Para së gjithash, duhet të niseni nga supozimi se përdoren dy sisteme të ndryshme të të menduarit. Në fakt, femrat kanë një inteligjencë emotive më të zhvilluar, gjë që i bën të kenë më shumë takt kur flasin, ndërsa meshkujt nuk e kanë problem të shprehin gjithçka që mendojnë.

Ndaj për të kuptuar femrat duhet “të lexoni mes rreshtave”, sepse ato flasin në mënyrë të fshehtë, duke përdorur mesazhe të nënkuptuara, të cilat nga këndvështrimi i tyre duken të qarta, por që në të vërtetë vetëm të tilla nuk janë. Po cili është sekreti për t’i fituar? Shikoni përtej pamjes së jashtme, analizoni sjelljet e tyre dhe kuptoni se pas heshtjes së tyre, në të vërtetë fshihet një botë e mrekullueshme e mbushur plot me ndjenja.

(Kosova Sot Online)