Në Konferencën e Bujanit u kërkua bashkimi i Kosovës me Shqipërinë

  • 26 December 2017 - 09:18
Në Konferencën e Bujanit u kërkua bashkimi i Kosovës me Shqipërinë

Konferenca e Bujanit, e njohur ndryshe edhe si Konferenca e Parë e Këshillit Nacional Çlirimtar të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, shënon një nga përpjekjet e radhës për të shtyrë më tutje çështjen e Kosovës dhe bashkimin e saj me shtetin amë. E mbajtur në vlugun e luftës kundër nazifashizimit dhe e rreshtuar përkrah aleancës euroamerikane, konferenca do të nxjerrë edhe një rezolutë, e cila, nën trysninë e partizanëve jugosllavë do të bllokohet dhe do të mbetet e pazbatueshme. Sido që të jetë, vendimet e dala nga kjo konferencë nuk ndryshonin nga kuvendet apo edhe mbledhje të ngjashme të mbajtura para dhe pas kësaj të Bujanit, të cilat shprehnin vullnetin e popullit të Kosovës për vetëvendosje. Për historianët tanë konferenca ka një rëndësi historike kombëtare, pasi, sipas tyre, aty dëshmohen vendime me rëndësi të marra nga përfaqësues të popullit të Kosovës. Njëkohësisht edhe rreshtimin e popullit përkrah luftës çlirimtare të popujve evropianë. Konferenca i mbajti punimet më 31 dhjetor 1943 deri më 2 janar 1944 në Bujan (Bunjaj) të Malësisë së Gjakovës, në kullën e bajraktarit Sali Mani. Në këtë konferencë ishin të pranishëm 49 pjesëmarrës, prej të cilëve 43 shqiptarë, 3 serbë dhe 3 malazezë. Prof. Zekeria Rexha drejtonte punimet e Konferencës.

Dobësimi i fuqisë vendimmarrëse të Këshillit Nacional Çlirimtar Kosovar

 Në një prononcim për "Kosova Sot", historiani Hakif Bajrami ka thënë se Konferenca e Bujanit shënon një moment të rëndësishëm për shqiptarët e Kosovës, pasi, siç ka thënë ai, përmes saj u përçuan vullneti i popullit të Kosovës dhe rreshtimi i tij përkrah aleatëve antifashistë. Por, ishin ndërhyrjet e Shtabit të Përgjithshëm të Luftës së Jugosllavisë ato që pamundësuan dhe bllokuan zbatimin e vendimeve të Bujanit. Sipas tij, Kuvendi erdhi pas një sërë aktivitetesh të ndërmarra nga antifashistët e Kosovës, të cilat pas kapitullimit të Italisë Fashiste mblodhën forcat dhe nisën organizimet, nga ku lindi nevoja edhe e themelimit, siç ka thënë ai, të një Kuvendi, Këshilli Nacional Çlirimtar për Kosovën dhe Rrafsh të Dukagjinit."Ky synim u arrit më 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944, ku u mblodhën përfaqësues nga treva e ndryshme të Kosovës, duke nxjerrë edhe vendime të rëndësishme, të cilat iu dërguan si Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ Jugosllave në gjuhën serbe, të përgatitur nga Fadil Hoxha, ashtu edhe Shtabi i Përgjithshëm të UNÇ Shqiptare në gjuhën shqipe. Përfundimet kanë rëndësi, pasi u konstatua se trevat e Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit janë me shumicë shqiptare dhe duhet t'i bashkohen Shqipërisë", ka thënë historiani Bajrami, duke shtuar se përfundimet u përkrahën edhe nga antifashistë serbë e malazezë. Por, siç ka thënë ai, jo nga Shtabi i Titos, i cili refuzon dhe lufton vendimet e Bujanit. Bile edhe duke dobësuar fuqinë vendimmarrëse të Këshilli Nacional Çlirimtar Kosovar dhe më pas të ndërmarrë represaliet që tashmë dihen.

Një nga ngjarjet më të mëdha të historisë së kombit shqiptar

 Historiani Haxhi Ademi, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se Konferenca e Bujanit është vlerësuar si një nga ngjarjet më të mëdha të historisë së kombit shqiptar. Gjatë punimeve të kësaj konference, ka thënë ai, iu dërguan telegrame forumeve më të larta të Lëvizjeve Nacional Çlirimtare në Jugosllavi, në Shqipëri dhe në Kosovë. Në ditën e dytë u mbajtën dy referate, diskutimet, dhe u miratua dokumenti kryesor, rezolucioni, i cili u lexua në gjuhën shqipe dhe serbishte, dhe u firmos nga të gjithë të pranishmit. Këshilli krahinor miratoi thirrjen, një dokument i rëndë- sishëm, që u drejtohej popujve të Kosovës - shqiptarëve, serbëve dhe malazezëve, për t'u mobilizuar në luftë kundër okupatorëve gjermanobullgarë dhe gjithë atyre që u shërbejnë. "Konferenca miratoi dhe një rezolucion, që shprehej dhe për zgjidhjen e çështjes kombëtare të Kosovës në bazë të parimit të vetëvendosjes dhe përcaktonte rrugën që duhej ndjekur: "Kosova e Rrafshi i Dukagjinit asht një krahinë e banueme me shumicë nga populli shqiptar, i cili si gjithmon, ashtu edhe sot dëshiron me u bashkue me Shqipnin". Ndërsa ka thënë se për dështimin e jetësimit të vendimeve të Bujanit fajtor janë edhe shqiptarët, pasi, siç ka thënë ai, skena politike shqiptare andej dhe këtej kufirit ishte e përçarë dhe në ngjarjet që rrodhën më pas u vranë edhe disa nga pjesë- marrësit e Konferencës së Bujanit. Për sa i përket rolit të ndërkombëtarëve, ka thënë ai, në këtë mes mund të themi se në punimet e Konferencës së Bujanit mori pjesë edhe përfaqë- suesi i misionit anglez, major Baily.

(Kosova Sot)