Intervistë për 'Kosova Sot Online', me këngëtaren Aferdita Demaku: 'S’më ka shkuar mendja të provokoj as nuk kam nevojë për një gjë të tillë'

  • 06 maj 2019 - 21:27
 Intervistë për 'Kosova Sot Online', me këngëtaren Aferdita Demaku: 'S’më ka shkuar mendja të provokoj as nuk kam nevojë  për një gjë të tillë'

Intervistë për “Kosova Sot Online”, me këngëtaren Aferdita Demaku

Zëri i këngëtares Aferdita Demaku, vazhdon të mbetet ndër më të preferuarit e publikut, këtë e dëshmojnë dasmat dhe gazmendet familjare ku ajo është e ftuar për të kënduar.

Ndër vite ajo ka marrë pjesë në shumë festivale, dhe ka publikuar një sërë këngësh të sukseshme.

Përmendim këtu pjesmarrrjen në: "PoliFest" 2003 me këngën "Xhelozia", "Polifest" 2008 me këngën "Gurbetqari im", derisa në vitin 2005, Aferdita Demaku publikon albumin "Dy Zemra", që njihet si një nga më të sukseshmit e karrierës, ku dhe kënga me të njejtin titull u pëlqye shumë nga publiku.

Image

Në një intervistë për gazetën "Kosova Sot Online", këngëtarja Aferdita Demaku përgjigjet në shumë pyetje të cilat ju ftoj ti lexoni në vijim...Por nuk ishte e vetmja, pasi falë punës dhe përkushtimit ndaj profesionit, këngëtarja ka publikuar edhe shumë këngë të sukseshme, nga të cilat vlen të theksojmë: "Dashnor pa Dashuri", "Cila ta la Parfumin", "Babë e Nanë", "Larg Vendlindjes", "Hajde të hjekim pak mërzi", e shumë të tjera.

Image

“Kosova Sot”: Keni vite që jeni në skenë, megjithatë ende vazhdoni fuqishëm të jeni prezente dhe e dashur për publikun, cili është çelsi i suksesit?

Aferdita Demaku: Po ështe e vërtetë se kam filluar shumë e re të këndoj dhe kam punuar pa ndërprerë. Mund të them se karrierën e kam ndërtuar me hapa të ngadaltë por shumë të sigurt, njejtë punoj edhe sot, me të njejtin ritëm dhe jam shumë e kënaqur. Çelësi i suksesit për mua është kur e publikoj një album apo një projekt dhe e shoh suksesin, aty marrë shumë vullnet, energji për të punuar edhe me shumë, në veçanti, si sukses mund ta quaj se punoj me plan, mendoj mirë çfarë i duhet karrierës sime dhe çka i përgjigjet kohës, e asnjë here nuk kopjoj diçka nga të tjerët ose kurrë nuk them e paska bërë ky apo kjo këtë lloj ta bëj edhe unë, prandaj çdo gjë që punoj e di se do të pëlqehet.

“Kosova Sot”: Sapo keni publikuar këngën më të re “Qitja pikën”, sa jeni ndarë e kënaqur me këtë projekt dhe kush janë autorët?

Aferdita Demaku: Po ka disa ditë qe e kam publikuar këngën e re të cilën autori i tekstit e ka titulluar “Qitja Piken” dhe mund të them se është njëra ndër këngët më të pëlqyera nga fansat dhe në you tube ka arritë një rekord klikimesh për kaq ditë, mund të them se edhe mua më pëlqen pa masë. Kënga ka nje teskt të veçantë, ka një temë pozitive e shkruar mjeshtërisht nga Aramand Trebicka, ka një orkestrim, realizim modern me ngjyra dhe kombinime të veçanta që vetëm kompozitori Alban Furtuna di të punoj me aq përkushtim. E veçanta e kësaj kënge është se i kemi bërë një videoklip shumë të mirë, të xhiruar në ishujt e Maldives dhe si ritëm i është pergjigj shumë. Jam shumë e lumtur që kënga po ecë mirë dhe njerëzit po e gjejnë vetën aty, shfrytëzoj rastin t’i përshendes të gjithë bashkepuntorët që më ndihmuan ta realizojmë këtë projket.

Image

“Kosova Sot”: Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje, për të cilën edhe sot ke nostalgji?

Aferdita Demaku: Ju thashë se kam filluar shumë e re të këndoj, mund të them se kam qenë femijë dhe i kujtoj shumë mirë ato vite që kam filluar të këndoj, me shumë nostalgji e kujtoj ate publik aq masiv, njerëz të sinqertë, origjinal të asaj kohe, që kënaqeshin, që dinin të vlerësojnë këngën e mirfilltë, që dinin të mbanin dhe të kthenin në skenë për disa herë radhazi, me buzëqeshje dhe brohoritje që kurrë nuk do t’i harroj.

Image

“Kosova Sot”: A ju ka ndodhur ndonjëherë, ta refuzosh ndonjë këngë, për arsye se nuk ju ka përshtatur karakterit tënd?

Aferdita Demaku: Po, ju thashë më lartë se punoj me plan dhe mendoj mirë për një projekt dhe normal e bëj si porosi dhe pres deri të shkruhet ajo që kemi kërkuar, por ka ndodhur që kur dikush nga producentët apo poetët ose ndonjë nga kompozitorët më ka propozuar diçka që atyre ju ka dukur se më shkon mua, normal e kam marrë, e kam menduar se a me hynë në punë dhe jam bindur qe s’është për mua dhe e kam refuzuar.

Image

“Kosova Sot”: Sipas teje, a është e nevojshme që një këngëtare të provokojë në skenë, apo nuk mund të kuptohet një këngëtare e pëlqyer sot pa provokime?

Aferdita Demaku: Jo, unë mendoj se nëse ke zërin dhe dinë të këndosh nuk ka nevojë të provokosh, por sot për sot muzika përvec se dëgjohet ka nga ata që edhe e shikojnë muzikën dhe normal dikush edhe në këtë formë arrin suksese, sa i zgjatë kjo nuk e dijmë, por thuhet një fjalë popullore “Sa të ecë kungulli mbi ujë vazhdo mos u ndal”, por në një gjë jam shumë e sigurt për vetën time se s’më ka shkuar mendja të provokoj as nuk kam nevojë për një gjë të tillë.

Image

“Kosova Sot”: Ndër vite keni realizuar shumë këngë e duete, por cila sipas Aferdites ka qenë kënga më e pëlqyer nga publiku me të cilën dhe identifikohesh më shumë?

Aferdita Demaku: Po shumë e vërtetë se kam pasur disa duete, e shumë potpuri me kolege dhe mund të them se të gjitha kanë qenë të suksesshme, por dua të veçoj duetet e fundit me vajzën time Dona Janoven qe s’mund t’i ndajë, të gjitha kanë qenë të suksesshme duke u nis nga dueti: “Lotë Dashurie”, “Kanagjegji im”, “Gurbeti nuk na ndan” dhe tri potpuritë festive.

Image

“Kosova Sot”: Me cilin këngëtar/e, do t’doje të bashkëpunoje pasi mendon se do të përshtateshit në vokale?

Aferdita Demaku: Po, është fat i madh që unë kam raporte fantastike me të gjithë koleget dhe kam respekt për të gjithë, poashtu është fat i madh se zëri im është një zë i butë, një ngjyrë që përshtatet me të gjithë, pavarësisht zhanrit, mund të këndoj dhe të kombinohem mirë.

Image

“Kosova Sot”: Muzika sot tek shqiptarët më shumë dëgjohet, apo “shikohet”?

Aferdita Demaku: Fatkeqësisht sot për sot, më shumë shikohet, por ju thashë dhe më lartë se ka nga ata që më shumë e shikojnë se sa e dëgjojnë por kjo gjë besoj se është ka kuptohet çdo ditë e më shumë dhe shpresoj që sa më shpejtë të kenë përparësi ata që dijnë të këndojnë bukur edhe në studio edhe live.

Image

“Kosova Sot”: A keni planifikuar të realizoni ndonjë këngë të re, pse jo dhe ndonjë album?

Aferdita Demaku: Po tash planin po e bëjmë për tërë vitin dhe sapo e kam publikuar këngen e re, unë menjëherë kam filluar përgatitjet për këngën tjetër dhe sapo të arrihet numri i nevojshëm për album, do t’i përmbledhi të gjitha në një album .

“Kosova Sot”: Cila është motoja që Aferdita përdor më shpesh si mesazh për shoqërinë?

Aferdita Demaku: Kuptohet, lutem të kem shëndet, dhe “Të punojmë sa më shumë, me profesionalizëm, sinqeritet, drejtësi dhe çdo gjë që mundohem të arrijmë të jetë vepër dhe mesazh për gjeneratat e reja”.

Intervistoi: Armend Preteni

Image

(Kosova Sot Online)