Irani dënon tre shkrimtarë me gjithsej 18 vjet burgim

  • 18 May 2019 - 10:54
Irani dënon tre shkrimtarë me gjithsej 18 vjet burgim

Një gjykatë iraniane i ka dënuar tre shkrimtarë me burgim prej gjithsej 18 vjetësh. Ata u shpallën fajtorë për krime kundër sigurisë kombëtare.

Reza Khandan Mahabadi, Baktash Abtin dhe Kayvan Bajan u dënuan për propagandë kundër shtetit dhe aktivitete kundër sigurisë kombëtare. Secili prej tyre u dënua me gjashtë vjet burgim.

Akuza të ngjashme bëhen shpesh kundër intelektualëve dhe kritikëve nga udhëheqësia politike e Iranit.

Tre personat e dënuar janë anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve të Iranit, e cila është vënë nën presion nga autoritetet, të cilat i kanë marrë në pyetje, i kanë kërcënuar dhe i kanë burgosur anëtarët e saj.

“Ky gjykim nuk paraqet vetëm dënimin e tre shkrimtarëve. Ky nuk ishte dënim vetëm kundër Shoqatës së Shkrimtarëve. Është dënim për tërë shkrimtarët dhe të tjerët që duan ta shfrytëzojnë të drejtën e lirisë së të shprehurit”, thuhet në deklaratën e kësaj shoqate.

Sipas tyre, autoritetet nuk kanë ofruar dëshmi për t’i mbështetur akuzat e cituara për dënimin e tre shkrimtarëve, shkruan “Free Europe".

(Kosova Sot Online)