Vepra e parë që e bëri të njohur Sislej Xhafën i dhurohet Galerisë Kombëtare të Kosovës

  • 16 nëntor 2019 - 21:21
Vepra e parë që e bëri të njohur Sislej Xhafën i dhurohet Galerisë Kombëtare të Kosovës

Sislej Xhafa është artist i njohur. Shumë i njohur. Edhe emrin e kishte marrë nga piktori impresionist francez Alfred Sisley — një nga piktorët e preferuar të babait të tij, Xhevdet Xhafës. U lind në Pejë në vitin 1970. Aktualisht jeton dhe punon në Neë York. Ai ka prezantuar punimet e tij në ekspozita të shumta në vende të ndryshme të botës, si: Kaliforni, Itali, Turqi etj. Për punën e tij artistike ai është shpërblyer me çmime të shumta si “Onufri” në Tiranë, “Biella 2001” nga fondacioni “Pistoletto” etj.

Ai është një artist tashmë i mirënjohur i artit bashkëkohor me bazë në Brooklyn, Neë York. Xhafa është i njohur sidomos për punën e tij investigative në realitetet sociale, ekonomike dhe politike, të cilat lidhen ngushtësisht me zhvillimet e shoqërisë moderne. Ai i ka eksploruar këto hapësira përgjatë disa viteve duke vështruar sidomos në fenomene të prekshme të shoqërisë, me një “gjuhë” minimaliste dhe ironike, me skulptura, vizatime dhe performanca fotografike.

“Realiteti është më i fortë se arti. Si artist, unë nuk duhet të reflektoj një realitet ashtu siç shfaqet, por duhet ta vë atë në pikëpyetje. Edukimi im social nuk përqafon veprimet lineare dhe racionale. Unë mbështes një botë dhe një jetë që përbëhet më shumë prej instinkteve primordiale”. Kështu është shprehur artisti Sislej Xhafa, në intervistën e Gilane Taëadros në vitin 2009.

Në qendër të punëve artistike të Sislej Xhafës është sidomos rezultati social i teorive ekonomike dhe gjithashtu ai konceptual prej marrëdhënieve komplekse mes individëve. Ai vë në pikëpyetje statusin e ligjshëm të vendit të tij të origjinës, duke u prezantuar si klandestin në pavijonin e Bienales së Venecias, apo kur vihet në vendin e një brokeri që nuk shet dhe blen aksione, por e bën këtë me të ardhurit dhe ata që udhëtojnë në një tren.

Ekspozitat më të rëndësishme të Sislej Xhafës kanë qenë brenda eventeve të njohura të artit bashkëkohor si Bienalja e Venecias, aktivitete të artit bashkëkohor zhvilluar në Japoni (2013), Muzeu i Artit Kontemporan në Napoli të Italisë etj.

Një prej veprave të para që e bënë të njohur Sislej Xhafën ishte “Pavijoni Klandestin ” (1997) të cilën e ekspozoi në Bienalen në Venedik – ndonëse nuk ishte i ftuar. Kjo vepër kundërshtonte qasjen përjashtuese të bienales kundrejt artistëve që vinin prej vendeve të ashtuquajtura ‘‘të botës së tretë’’, dhe njëkohësisht kritikonte politikat margjinalizuese ndaj mërgimtarëve në vendet e Perendimit. Brenda hapësirës së bienales, i veshur me fanellë të futbollit të kombëtares shqiptare dhe me top në dorë, Xhafa kërkonte të luante dhe t’i sfidonte aftësitë e mysafirëve të bienales.

Në shumë mënyra, kjo vepër e prezantoi Xhafën dhe qasjen e tij kritike si artist. Në recensionet e punimeve të tij thuhej se ndërhyrjet e tij “jo vetëm që theksojnë apo prezantojnë pabarazi nacionale, por kanë aftësi t’i përmirësojnë institucionet të cilat ai i kritikon”.

Shumë mirë që këtë vepër me kuptim të thellë ja dhuroi Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Ilir Muharremi, kritik i artit

(Kosova Sot Online)