Figurat e shquara shqiptare që u ndanë nga jeta në vitin 2020

  • E.K /
  • 28 December 2020 - 15:43
Figurat e shquara shqiptare që u ndanë nga jeta në vitin 2020

Viti 2020 për Shqipërinë ishte viti i disa humbjeve të mëdha të personazheve të shquar të vendit tonë. Nga Covid-19 ose jo, emra të shquar mbyllën sytë përgjithmonë, duke lënë pas dhimbjen dhe mungesën e tyre të madhe. Në këtë artikull ju listojmë humbjet e mëdha të vendit tonë gjatë këtij viti:

Xhevdet Ferri

Ikonë e kinematografisë shqiptare, u nda nga jeta në janar, në moshën 59-vjeçare pasi vuante nga një sëmundje e pashërueshme pulmonare. Xhevdet Ferri lindi në Durrës, më 26 nëntor 1960. Filmi i tij i parë ka qenë kur ai ishte akoma një student, ndërsa i fundit ishte filmi “Delegacioni”. Roli më i njohur për publikun është ai i trimit në filmin “Përrallë nga e kaluara” krah të madhit, Robert Ndrenika. Ferri ka interpretuar në rreth 30 role në kinematografi e teatër dhe kontributi i tij në kinematografinë shqiptare do mbetet i paharruar.

Avni Mula

Kompozitori i njohur Avni Mula u nda nga jeta në muajin tetor të këtij viti, në moshën 92-vjeçare. Baritoni dhe kompozitori i njohur Avni Mula, është vlerësuar dhe nderuar për krijimtarinë që ka sjellë jo vetëm në skenën operistike, por dhe në atë të këngës në festivale të ndryshme. Ai është kompozitor i këngëve të famshme si “Nënë moj do pres gërshetin”, “Këngët e atdheut tim”, “Valsi i lumturisë”, “Një djep në barrikadë” etj.

Fehmi Oshafi

Regjisori i njohur Fehmi Oshafi ndërroi jetë në moshën 86-vjeçare. Oshafi, lindi në shtator të 1934-ës në Tiranë dhe i dedikoi gjithë jetën kinemasë. Në fillimet e tij, Fehmi Oshafi nisi të punojë si asistent-regjisor. Suksesi i parë i tij ishte spektakli “Estrada në Ekran”, që i hapi rrugën drejt botës së kinemasë. Pas emrit të regjisorit qëndrojnë filma, si: “Shoku ynë Tili”, “Kapedani”, “Zëvendësi i Grave” apo “Ëndërr për një karrige”.

Nexhmije Pagarusha

Legjenda e muyikës shqiptare u nda nga jeta më 7 shkurt, në moshën 86-vjeçare. Pagarusha u lind më 7 maj të vitit 1933, në Pagarushë, një fshat në afërsi të Malishevës, Kosovë. Karrierën muzikore që përshkon 40 vite ajo e nisi në vitin 1948 në Radio Prishtina. Ajo interpretoi këngë si “Baresha,” “E dehun jam,” “Shota” etj. që konsiderohen kryevepra të muzikës shqiptare. Ajo i dha fund karrierës në vitin 1984 pas një koncerti në Sarajevë.

Gëzim Kruja

Ikona e komedisë shkodrane, Gëzim Kruja, u nda nga jeta më 5 prill, në moshën 80-vjeçare. Ai e nisi karrierën që në moshën 13-vjeçare, fillimisht si amator e më vonë u aktivizua me estradën profesioniste të Shkodrës. Studimet e larta i mbaroi në Institutin e Lartë Pedagogjik, në degën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi në Shkodër. Në vitin 2004 u vlerësua me çmimin “Krenaria e Qytetit”, një vit më vonë mori titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”.

Rikard Ljarja

Aktori i shquar Rikard Ljarja u nda nga jeta më 20 prill, në moshën 77-vjeçare si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Ljarja, i lindur në Shkodër, e nisi karrierën në kinematografi që pas përfundimit të gjimnazit duke ndjekur fillimisht studimet në Shkollën e Lartë të Aktrimit “Aleksandër Moisiu”. Pas studimeve, punoi si aktor në teatrin “Migjeni” në Shkodër dhe më pas si aktor, regjisor dhe skenarist në disa nga filmat më të njohur të kohës. Disa nga filmat ku spikati me talentin e tij janë “Rrugë të bardha”, “Radiostacioni”, “Rrugicat që kërkonin diell”, “Shpërthimi”, “Ilegalët”, “Kur zbardhi një ditë” etj.

Evgjeni Harizi

Emri i shquar i kulinarisë shqiptare, Evgjeni Harizi, u nda nga jeta më 22 mars, si pasojë e një sëmundjeje të pashërueshme. Harizi, e lindur në Pojan të Fierit më 1939-n, i kreu studimet e larta pjesërisht në Rusi dhe më pas ndoqi studimet në Universitetin e Tiranës si Inxhiniere Teknologe e Ushqimit Social. Më pas, u emërua në Ndërmarrjen e Ushqimit Social ku punoi si teknologe dhe njëkohësisht ushtroi edhe profesionin e pedagoges në Shkollën e Ushqimit. Gjatë viteve kur qe aktive, Harizi botoi disa libra me gatime, si “Si të gatuajmë”, “Pastiçeria në familje”, “1000 receta gatimi”, “Gatime me perime dhe gjellë tradicionale shqiptare” etj., libra të cilët janë ribotuar disa herë.

Maks Velo

Piktori, arkitekti, shkrimtari dhe studiuesi Maks Velo, u nda nga jeta më 7 maj, në moshën 84-vjeçare. I specializuar në arkitekturë, në 1960-ën, Velo mori pjesë në projektin e parë që u bë në Tiranë. Gjatë viteve 1978-1979 ai u arrestua nga regjimi i asaj kohe dhe u dënua me 10 vite burg, vite të cilat e frymëzuan për një pjesë të mirë të krijmtarisë së tij të mëvonshme.

Besim Zekthi

Mjeshtri i valles popullore shqiptare, Besim Zekthi, u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare, më 28 qershor. Ai humbi betejën pas një sëmundjeje të rëndë në banesën e tij në Tiranë.

Moikom Zeqo

Më 15 qershor, Moikom Zeqo, studiuesi dhe shkrimtari i njohur, u nda nga jeta në moshën 71-vjeçare. Shkrimtari, i lindur në Durrës la pas plot 62 vepra me poezi, me studime arkeologjike, si dhe skenare filmash kinematografikë e televizivë me karakter kulturor dhe arkeologjik.

Përparim Tomçini

Më 5 qershor, kompozitori i njohur shqiptar, Përparim Tomçini, u nda nga jeta në moshën 65-vjeçare.

Koço Devole

Aktori dhe regjisori Koço Devole u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare më 8 nëntor, pas infektimit me Covid i cili i ndërlikoi gjendjen shëndetësore sepse vuante nga leuçemia. Devole, i lindur në Kuçovë më 28 nëntor 1945, ishte një nga figurat më të njohura të humorit shqiptar në vitet ’80 dhe ’90. Ndër rolet e tij më të njohura përmendim ato në telekomeditë “Të gjallë apo të vdekur”, “Çanta me nje milion”, “Oreksi i madh”, “Mos shko o trim”, “Revolja e heroit”, “Pushime në Romë” etj. Në karrierën e tij, aktori u vlerësua edhe për karikaturat e njohura (revista Hosteni).

Valter Gjoni

Më 14 nëntor, aktori i teatrit dhe i kinematografisë shqiptare, Valter Gjoni, u nda nga jeta në moshën 66-vjeçare.

Milto Vako

Më 10 nëntor, përmes një deklarate zyrtare, Teatri i Operas, Baletit dhe Ansambli Popullor njoftoi ndarjen nga jeta në moshën 90-vjeçare të dirigjentit Milto Vako.

Lumturi Blloshmi

 Më 27 nëntor, Lumturi Blloshmi, piktorja e njohur shqiptare ndërroi jetë si pasojë e Covid-19.

(Kosova Sot Online)