Ndërron jetë në moshën 53-vjeçare prezantuesja e njohur Rudina Dervishi
Në moshën 53-vjeçare, pas një beteje dy vjeçare me kancerin e gjirit, u nda nga jeta Rudina Dervishi, gazetarja dhe drejtuesja e njohur prej shumë vitesh e emisionit televiziv “Ditari” të Zërit të Amerikës,transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Ikja e saj e parakohshme, është një humbje e madhe për familjen dhe për kolegët e saj të Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës”, njofton VOA.
Për më shumë se 25 vjet, Rudina dha një kontribut të çmuar me profesionalizmin e saj si një gazetare e apasionuar, duke mbuluar tema të shumëllojshme nga ekonomia, politika, të drejtat e njeriut dhe të gruas, e deri tek arti.
Kolegët e Zerit të Amerikës kujtojnë Rudinën për mprehtësinë, dinamikën, humorin dhe përkushtimin e saj.
Ajo la pas bashkëshortin, tre djemtë dhe nënën.
(Kosova Sot Online)