
Besiana Mehmedi në 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, bën bashkë gratë e luftës së UÇK- së në Vushtrri

Mbrëmë në një atmosferë të jashtëzakonshme, është mbajtur Koncert solemn e i papërjetuar më parë në Vushtrri! Përveç që u mbajt koncerti i parë klasik profesional në këtë koncert me performancë të mrekullueshme të sopranos Adelina Paloja, pianistes Rudina Ciko, shoqërueses Alba Muçolli! Për të gjitha detajet skenike ishte përkujdesur drejtori artistik: Shkodran Tolaj bashkë me stafin e mrekullueshëm të Qendrës për Kulturë “Hasan Prishtina” që ishte e mbushur plot e përplot spektatorë- mbi 700 në sallë!
Aktiviteti filloi me poezinë “Kosovë- djep lirie” një interpretim brilant i Besiana Mehmedit me tekst nga Din Mehmeti, shkrirë në pamje nga Shkodran Tolaj! Më pas u intonuan Himni i Shqipërisë dhe Kosovës nga Besiana Mehmedi e Adelina Paloja! Me ovacione është mirëpritur kënga për premierë për Hasan Prishtinën me tekst nga Shkodran Tolaj e muzikë nga Sami Piraj, kurse “Legjendat këndoja me mall” dedikuar Adem Jasharit dhe gjithë martirëve të lirisë dhe UÇK- së ngjalli emocione dhe brohoritje të jashtëzakonshme!
Besiana Mehmedi jo vetëm në element dramatik të këndimit por dhe në moderim ishte e jashtëzakonshme! Ajo bashkë me profesoreshën Rudina Ciko sollën përmes veprës instrumentale “Qiri në erë” një recital dedikuar heroinave të ditëve tona – ish-luftëtareve dhe të burgosurave politike, dhe dëshmoreve të lirisë: Xhevë Lladrovci, Mukadeze Muhaxhiri, Antigona Fazliu dhe Ylfete Humolli ( poat mortum) dhe 17 heroinat e gjalla Nana Stanë, Time Kadriaj, Florije Osmani, Shyhrete Gosalci, Ramize Salihu, Hyrije Veliu, Bukurije Zogaj, Shefkije Zogaj, Magbule Rashica, Mirvete Hasani, Demrie Salihu, Shyhrete Kastrati, Linda Krivanjeva, Besa Hoxha, Merita Bytyqi, Metije Konjusha, Sevdije Mehmeti( të gjitha luftëtare në UÇK), dy të burgosurat politike Flora Brovina e Shukrije Gashi dhe tre gratë shembullore të Vushtrrisë: Vildane Mulaku, Habibe Gërxhaliu e Melihate Verbovci të cilat janë zëri i grave të martirëve të lirisë!
Besiana Mehmedi shkëlqeu dhe në duetet me sopranon e njohur Adelina Paloja e cila poashtu solli ngjyra të veçanta me interpretimin e “Për ty atdhe” dhe “Unë biri yt Kosovë”
Simbolika më prekëse e këtij eventi ishte dhurata e veçantë “Lulëkuqet e Kosovës”, krijuar nga ish-ushtari i UÇK-së Valmir Aziri, e cila iu dorëzua kryetarit Idrizi nga ish-ushtarja Time Kadriaj dhe Nëna e UÇK-së Stane Gashi – një moment që shpalosi me krenari të pathyeshme frymën e qëndresës kombëtare!
Fundi i aktivitetit ku të gjitha gratë bashkë me publikun interpretuan këngën “‘Mora fjalë” ishte mbyllja më e bukur që mund të bëhet në një festë të tillë dhe për këtë meritat kryesore i takojnë kryetarit të Komunës z.Ferit Idrizi!
(Kosova Sot Online)