Plaku që nuk i dorëzohet shekullit
Muharrem Bajrami ka vendosur ta sfidojë pleqërinë deri në orët e fundit të frymës së tij. Edhe tani që ka arritur moshën 80- vjeçare dhe po i ofrohet një shekulli, jetë, Bajrami nuk ndalet për të ndihmuar skamnorët, ku ai e gjen vullnetin dhe forcën për t`i mposhtur të gjitha vështirësitë e jetës. Përmes sindikatës së pensionistëve dhe invalidëve të punës, Muharrem Bajrami, si kryetar i Federatës, grumbullon miell, lëngje e veshmbathje për nevojtarë. Ngarkon e shkarkon thasët me miell në veturën e tij, meqë në të shumtën e rasteve duhet t`ua dërgojë varfanjakëve edhe në shtëpi, shkruan gazeta Kosova Sot.
Është i vetëdijshëm se ata nuk kanë para për të paguar taksi. Shumicës së nevojtarëve u mungojnë gjerat elementare për jetë. "Për bukë e veshmbathje nuk i lë të heqin keq 150 familje në Gjilan", thotë Bajrami, i cili vazhdimisht është në terren për të grumbulluar gjera ushqimore për skamnorët. "Për çdo vit i kemi ndihmuar 150 familje skamnore dhe jetimë me artikuj ushqimorë", thotë Bajrami, duke nënvizuar se vjet kanë shpërndarë rreth 20.000 kilogramë miell, pastaj lëngje e veshmbathje. Ndihma ushqimore dhe veshmbathje po shpërndahen edhe këtyre ditëve, gjatë Muajit të Ramazanit, të cilat janë grumbulluar nga donatorë të shumtë.
Sakrifica jetësore
Rruga jetësore dhe profesionale e arsimtarit Muharrem Bajrami, në periudhën pas Brioneve (rankoviçiste) nuk ishte fare e lehtë. Në gjithë ato vite dramatike, deri ta liria e Kosovës, ai qëndroi burrërisht përballë të gjitha sfidave, duke mos u gjunjëzuar para armikut, i cili shkollën dhe mësimdhënësit shqiptarë i kishte therë në sy. Nëpër kohë të vështira, jo pak herë Muja është ndeshur me vështirësi. Misionin prej mësuesi, e filloi në shkollën fillore "Liria" të Pogragjës, menjëherë pas mbarimit të Shkollës së Lartë Pedagogjike, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Prishtinë, ku punoi për 11 vjet me radhë. Mban mend aksionin e mbledhjes së tepricave, aksionin e armëve, diferencimet, largimet nga puna dhe formimin e institucioneve paralele shqiptare të arsimit në Republikën e Kosovës. Nijazi Ramadani, koleg i tij, thotë se Muja është shembull unik i përkushtimit për çështjen kombëtare. Për këto arsye, më 11 maj të vitit 1999, së bashku me 16 intelektualë tjerë të Gjilanit u arrestua dhe u burgos. Edhe pas gjithë atyre peripecive që ka përjetuar në më shumë se gjysmë shekulli aktivitet, Muja vazhdon të sfidojë pleqërinë, jo për veten dhe familjen e tij, por për t`i ndihmuar nevojtarët. 150 familje nuk kanë pse mërziten për bukë, derisa Muja të jetë gjallë.
I përkushtuar ndaj shkollës shqipe
Profesori Ismajl Ismajli e cilëson Muharrem Bajramin "një diell me rreze të arta". Ai ka ecur nëpër rrugë të vështira, ka kaluar nëpër furtuna, duke gjuajtur shtriga dhe përherë ka ngadhënjyer. Është angazhuar shumë për mbijetesën e shkollës shqipe gjatë viteve të okupimit, shpeshherë, duke sakrifikuar edhe jetën. Mbi 20 herë është marrë në pyetje, para luftës, nga shërbimi sekret serb. Njëherë shkuan dhe e morën në shkollë. Muja nuk është dorëzuar asnjëherë, siç nuk po dorëzohet as tani para pleqërisë. Halim Vranovci, ish-drejtor i tij në shkollën "Selami Hallaqi" ka thënë se Muharrem Bajrami është pjesë e ndritur e kësaj gjenerate arsimtarësh që në rrethana tepër të rrezikshme ngjallën shpresën e të ardhmes në çdo shtëpi shqiptare. Për Sadije Mushicën, ish-kolege, Muja është një shembull i rrallë si duhet t`i shërbejë njeriu shkollës dhe kombit të tij. Që kur është ndarë nga shkolla, prej 15 vjetësh, Muja vazhdon t'u shërbejë skamnorëve. Ai e ka kuptuar jetën si shërbim ndaj kombit, ndaj njeriut, ndaj nevojtarit. Zemra e tij, tani rrah për skamnorët, për 150 familje që duhet t'ua sigurojë bukën, shpresën për të ardhmen.
(Kosova Sot)
