Burjani: Të gjithë u shndërruan në përfitues e zhvatës

  • 22 January 2018 - 14:08
Burjani: Të gjithë u shndërruan në përfitues e zhvatës

Eksperti i fushës së drejtësisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Burjani, theksoi për "Kosova Sot" se shteti ligjor nuk funksionon, andaj të gjithë janë shndërruar në përfitues dhe zhvatës në të gjitha drejtimet e mundshme, nuk kursehet asgjë, as qytetarët e të gjitha moshave dhe gjinive."Problemi qëndron ngase është instaluar përfitimi në vend të respektimit të të drejtave të njeriut, të të drejtave të fëmijëve. Gjendje skandaloze mbretëron në shëndetësi që dy vjet, nga rasti "Stenta", dhe as nuk ka filluar procesi gjyqësor. Pastaj kemi vendimin e fundit të Komunës së Prishtinës për vizitë mjekësore për të bërë termin, është hapje e rrugës për biznesin privat të shëndetësisë, pra institucionet tjera shëndetësore private", thotë Burjani. Ai vlerëson se ky sistem i rrezikshëm për qytetarët fillon të marrë kahe në të gjitha drejtimet, shumë kanë precizuar se pa heqjen e kësaj klasë politike nga pushteti nuk ka rend dhe ligj dhe respektim të të drejtave kushtetuese të qytetarëve dhe nuk ka as disiplinë sociale, as ekonomike e as shëndetësore. "Kosovën e kanë kapluar anarkia dhe përfitimet, gjithçka janë në gjendje të bëjnë për para, asnjë profesion më në Kosovë nuk është human, prej kryeministrit që rrit pagat për njerëz që sillen vërdallë nëpër rrugë, e zëvendësministra koti dhe këshilltarë politikë që tregojnë se a ka borë në asfalt, a janë rrugët e kalueshme apo jo dhe madje edhe këshilltarë për të treguar se a ka borë në rrugë, gjithçka ka në këtë shtet", është shprehur ai. Edhe sa i përket pastrimit të spiunëve, Burjani thekson se ligjet nuk ndihmojnë, sepse ato nuk zbatohen fare.

(Kosova Sot)