"Humbja e betejës së parë për anëtarësim në KiE vjen edhe si rezultat i komunikimit të dobët diplomatik të kësaj qeverie me aleatët"

  • E.K /
  • 18 May 2024 - 13:03

Ish-kreydiplomatja kosovare, Meliza-Haradinaj Stublla, ka thënë se dështimi i parë për anëtarësim në Këshill të Evropës vjen edhe si rezultat i koordinimit të dobët diplomatik të Qeverisë Kurti me aleatët, përcjell “Kosova Sot Online”.

Ajo tutje shton se Kosova duhet të ruaj raportet me aleatët dhe të ketë unitet të brendshëm politik. Sipas saj, pa këto, Kosova do të ketë beteja të tjera të humbura dhe Serbia do të marrë fitore.

“Pa këto, humbjet ndërkombëtare të Kosovës do të thellohen, dhe fitoret e Serbisë do të fuqizohen”, ka shkruar Haradinaj – Stublla.

Reagimi i plotë:

Humbja e betejës së parë për anëtarësim në Këshillin e Evropës vjen edhe si rezultat i komunikimit (e koordinimit) të dobët diplomatik të kësaj qeverie me aleatët. Por nuk duhet të harrojmë se Kosova e humbi betejën në UNESCO 2015 dhe në INTERPOL 2018 edhe në kohën kur koordinimi me aleatët ishte maksimal dhe bashkëpunimi diplomatik ishte i ngushtë.

Pra duhet të fillojmë t’a kuptojmë se sot nuk jemi në vitin 1999 e as 2008 kur fituam luftën dhe shtetin, kur kishim gjithë botën demokratike në anën tonë sepse ishim viktima të gjenocidit serb, dhe ishte peisazh tërësisht i ndryshëm gjeopolitik nga siç e kemi sot.

Sot në vitin 2024, nuk jemi viktima por jemi shtet që i takojmë paktit perëndimor e demokratik, dhe duke i takuar këtij pakti – sot ne rrethana të rënduara gjeopolitike – kemi edhe obligime. E minimalja e obligimit tonë është mirëmbajtja e aleancave strategjike, ruajtja e komunikimit diplomatik brenda binarëve institucional edhe kur nuk pajtohemi me aleatët, dhe më e rëndësishmja: UNITETI NDËRPARTIAK në raport me Serbinë.

Pa këto, humbjet ndërkombëtare të Kosovës do të thellohen, dhe fitoret e Serbisë do të fuqizohen.

(Kosova Sot Online)