Martohen më herët, për hir të djalit të sëmurë

  • 01 September 2018 - 18:24
Martohen më herët, për hir të djalit të sëmurë

Prindërit zemërthyer të një djali të sëmurë nga kanceri terminal (vdekjeprurës, pa shërim) kanë vendosur që të martohen më herët sesa që kishin pasur ndërmend, në mënyrë që edhe djali i tyre i vogël të jetë pjesë e asaj dite të madhe. David Hosie, 38 vjeç dhe Lisa Moore, 35, nga Renfrju, Glasgou, kanë marrë lajmin e hidhur nga mjekët, se trajtimi i djalit të tyre 18 muajsh, Aaron, nga kanceri, nuk ka pasur sukses, kështu që bebja tani pritet që të vdesë së shpejti. Këtë lajm të hidhur ata e morën pas një viti të tërë, të kaluar dyerve të spitaleve, derisa djali i tyre trajtohej nga rabdomiosarkoma alveolare (kancer i indit të butë), sëmundje e cila i ishte paraqitur kur kishte vetëm tetë javë, transmeton gazeta "Kosova Sot".

Sa më shumë aktivitete që të krijojnë kujtime të këndshme

Tani familja është përqendruar që ditët e fundit të djalit të tyre të vogël të jenë sa më të mira, me sa më shumë kujtime, në mënyrë që të mund t'i rikujtojnë atë një ditë, kur Aaroni i vogël, fatkeqësisht, nuk do të jetë më me ta. Aaron ka dy vëllezër më të mëdhenj, të moshës 7 dhe 10 vjeçe dhe prindërit kanë vendosur që, gjatë muajve në vijim, të bëjnë sa më shumë aktivitete dhe të krijojnë kujtime të këndshme. Lisa ka planifikuar që, ditën e dasmës, në altar të dorëzohet nga i ati i saj, Dennis, 61 vjeç, por edhe nga i biri i saj, Aaron, i cili sapo ka filluar që të ecë.

"Doktorët na thanë se Aaron nuk ka jetë të gjatë" '

Unë dhe David kishim folur rreth martesës, por kjo ishte diçka që do të ndodhte në një të ardhme jo të afërt. Tani, pasi që doktorët na thanë se Aaron nuk ka jetë të gjatë, kemi vendosur që të martohemi më herët, duke krijuar sa më shumë kujtime të mira me të", thotë nëna e djalit, me lot në sy. Edhe pse ishte trajtuar me terapitë më moderne, Aaroni i vockël, përkundër një përmirësimi të shkurtër, nuk kishte mundur ta mposhte sëmundjen.  

 

(Kosova Sot)