Vuante nga kanceri i vezoreve, mjekët i thoshin se kishte kaps
Një infermiere u diagnostikua me dy kancere, pasi që iu fry barku aq shumë, saqë shumë njerëz mendonin se ajo ishte me barrë. Carla Nicholas, 45, shtoi peshë të konsiderueshme për vetëm dy javë. Për këtë shkak, në fillim mjekët mendonin se bëhej fjalë për gjendje kapsllëku.
Tumor me diametër prej 22 centimetrash
Kjo nënë e një fëmije nga Shropshajër, u ballafaqua me shikimet e vëngra të të tjerëve, të cilët mendonin se ajo pinte alkool derisa ishte me barrë. Pasi që përfundimisht iu bë skanimi, u konstatua se kishte dy tumore, ku njëri prej tyre kishte një diametër prej 22 centimetrash. Pasi që hoqi mitrën në tërësi, mjekët konstatuan se tumori së pari i ishte paraqitur në qafë të mitrës, për t'iu përhapur në vezore. Tani duke u mjekuar, atëherë asaj i kishin thënë mjekët se mund të jetonte vetëm edhe 5 vjet, maksimumi.
Lufta ndaj kancerit
Diagnoza e saj ishte adenokarcinomë, një formë e kancerit të qafës së mitrës. Zonja Nicholas ka bërë disa raunde të kimioterapisë, me shpresë se kështu do të jetojë më gjatë. Ajo thotë se do ta luftojë kancerin deri në fund dhe apelon te të tjerët, që mund të vuajnë nga kjo sëmundje, që sa më parë të bëjnë analizat e duhura, në mënyrë që ta zbulojnë sëmundjen dhe të fillojnë me trajtim pa u bërë vonë.
(Kosova Sot)
