Rreth 2 milionë votues kanë të drejtë vote por a do të dalin të gjithë?

  • A.P /
  • 07 June 2026 - 06:54
Rreth 2 milionë votues kanë të drejtë vote por a do të dalin të gjithë?

Sot rreth 2 milionë qytetarë me të drejtë vote, janë ftuar të votojnë prapë për të zgjedhur legjislaturën e 11-të të Kosovës.

Viti 2025 nisi me votime më 9 shkurt për Kuvendin e Kosovës, vazhdoi në vjeshtë me votimin për zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe 9 nëntorit dhe u mbyllë me votimin e 28 dhjetorit. Por vetëm pas pak muajsh, po votohet sërish, më 7 qershor. 

Pas zgjedhjeve të rregullta për Kuvend, të mbajtura në shkurtin e vitit 2025, dy proceset tjera zgjedhore që pasuan, më 28 dhjetor dhe 7 qershor, vijnë si pasojë e mungesës së konsensusit politik për konstituimin e institucioneve shtetërore.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar brenda Kosovës është 1,959,962 votues, ndërkaq, në këtë listë nuk janë të përfshirë 132,212 shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar nga jashtë vendit përmes postës apo në përfaqësitë diplomatike.

21 subjekte politike me 902 kandidatë janë në garë për ulëse në legjislaturën e 11-të të Kuvendit të Kosovës, prej të cilave 6 janë subjekte shqiptare me 465 kandidatë që garojnë për 100 ulëse, ndërkaq pjesa tjetër janë subjekte nga radhët e komuniteteve pakicë që garojnë për 20 ulëse të garantuara. Nga ky numër i përgjithshëm i kandidatëve, 593 janë burra dhe 309 gra.

(Kosova Sot Online)