Ja kush e thotë: Thaçi nga frika e Speciales i ofroi Serbisë 1/3 e Kosovës

  • 08 April 2019 - 18:28
Ja kush e thotë: Thaçi nga frika e Speciales i ofroi Serbisë 1/3 e Kosovës

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, nuk po e fsheh më varshmërinë e nënshtrimin e tij ndaj homologut serb në Beograd,thonë analistët.

Ai edhe gjatë një prezantimi në Londër, që kushedi sa i kushton buxhetit të taksapaguesve kosovarë, ka ripotencuar se nuk ka nevojë që të kushtëzohet dialogu me Serbinë, përmes të cilit, siç e di opinioni prej kohësh, synohet ndarja e Kosovës ose shpërblimi i Serbisë me territor të Kosovës.

Analistët politikë janë të mendimit se presidenti Thaçi në prapaskenë po e zhvillon planin për copëtimin territorial, ndërkaq në anën tjetër publikisht përkujdeset që të mos ketë kushte për Serbinë, që gjithçka të shkojë sipas skenarit ogurzi: VuçiqRama-Thaçi.

Image
Gani Qarri

"Presidenti kuisling i vendit,Hashim Thaçi,duke parë mungesën e një reagimi të vendosur nga populli,partitë dhe institucionet e inkriminuara,kundër tradhtive që ai hapur po i bën Kosovës,as që po e fsheh më varshmërinë dhe nënshtrimin total të tij ndaj homologut dhe dirigjentit të tij serb,Aleksandar Vuçiqit,në Beograd. Hashim Thaçi provat e para të nënshtrimit ndaj serbëve dhe Serbisë i ka filluar qysh në vitin 2016,në fshatin Grackë të Lipjanit,ku shkoi dhe u përul pa fije turpi, hapur dhe në mënyrë publike para lapidarit të kriminelëve serbë me mbishkrimin se gjoja ata janë viktima të "terroristëve shqiptarë"! Madje,ai duke parë se edhe pas këtij akti turpërues pasuan vetëm reagimet e afshëta dhe ato në rrjetet sociale,por jo edhe në mënyrë shtetërore dhe organizative të qytetarëve,të cilat përfunduan me thëniet spontane se me këtë përulje Thaçi shkeli mbi gjakun e dëshmorëve,përuljet dhe nënshtrimet e Hashim Thaçit,më nuk patën fund as të ndalur,i cili shkoi deri atje sa t'i ofronte Serbisë edhe 1/3-n,e Kosovës për amnistimin e tij nga Gjykata Speciale”, ka thënë për gazetën “Kosova Sot”, analisti politik, Gani Qarri.

Sipas tij, po synohet ndarja e Kosovës dhe shpërblimi i Serbisë me 1/3-tat e territorit të Kosovës.

“Për aq më tepër,pas thirrjeve të fundit të pakuptimta të Albin Kurtit në protesta për rrëzimin vetëm të Qeverisë,por jo edhe të presidentit kuisling,Hashim Thaçi,i cili tash e sa vite po e rrezikon publikisht shtetin e Kosovës,Thaçi edhe gjatë një prezantimi në Londër,që kushedi sa i kushton buxhetit të taksapaguesve kosovarë,u ngut të përsëriste dhe ripotenconte edhe një herë më tepër se gjoja nuk ka nevojë që të kushtëzohet dialogu me Serbinë,përmes të cilit,siç e di opinioni prej kohësh synohet ndarja e Kosovës dhe shpërblimi i Serbisë me 1/3-tat e territorit të Kosovës! Kështu që, duke pasur duart e lira,nga pozita dhe opozita,presidenti kuisling i vendit, Hashim Thaçi,po e shtyn në prapaskenë dhe publikisht,pa asnjë pengesë përpara, planin e tradhtisë së tij për copëtimin territorial të Kosovës,ndërkaq në anën tjetër përkujdeset me të gjitha mjetet që të mos ketë kushte për Serbinë dhe gjithçka të shkojë sipas skenarit ogurzi të treshes kobzezë për Kosovën: VuçiqRama-Thaçi. Në këtë mënyrë mosreagimi i qytetarëve si dhe heshtja e partive dhe institucioneve të vendit po bëjnë që pasojat të jenë të dyfishta dhe tepër të rënda për integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës. Madje në vend se procesi negociator të ishte dhe shfrytëzohej si një shans i mirë për të kërkuar zbardhjen e fatit të të pagjeturve, adresimin e të gjitha krimeve të forcave okupatore serbe ndaj popullatës së pafajshme shqiptare,kompensimin e dëmeve të luftës, reparacionet,kthimin e fondit pensional e plot të tjera,Thaçi jo vetëm se nuk e ka parashtruar asnjërën nga këto probleme dhe kërkuar dëmshpërblim nga Serbia, por në vend të tyre ndodhi me e keqja dhe ai filloi të bëjë pazare edhe me territoret e Kosovës”.

Më tej, Qarri ka deklaruar se hapja e çështjes së kufijve po dëshmohet edhe nga ndërkombëtarët,se është goditja më e rëndë dhe tradhtia më e madhe që ka mundur t'i bëjë Kosovës Hashim Thaçi nga pozita e presidentit te vendit.

“Sjelljet e tij dëshmojnë qartë se qëllimi përfundimtar i Hashim Thaçit nuk është ruajtja e shtetit të Kosovës dhe territoreve të saj,por shpëtimi i vetes nga Gjykata Speciale, pasi që dirigjimi politik mund të ndikojë në ngritjen ose pushimin e një aktakuze ndaj kreut aktual dhe tërësisht fatal të Kosovës. Për gjithë këto vite,Thaçi ka investuar tërë kapitalin,formal e joformal, me krejt klanin e vet që disponon,përfshirë spiunët tashmë të njohur të Serbisë,që të parandalojë një akuzë të pritshme kundër tij,duke e bërë joshës pazarin me Serbinë edhe për një pjesë te faktorit ndërkombëtar,të cilët do t'ia mundësonin Thaçit shfajësimin nga ndjekja e Speciales,në këmbim të një marrëveshjeje tradhtare,Kosovë-Serbi. Mirëpo,përderisa çuditërisht qytetarët dhe faktori i brendshëm vazhdojnë të heshtin,për fat të mirë Gjermania,e së fundmi edhe SHBA-ja,kanë dalë me qëndrim të njëjtë,duke kundërshtuar hapur ndryshimin e kufijve të Kosovës,gjë që po i rrit shpresat se më në fund po dështon plani kobzi i Thaçit e Baton Haxhiut dhe argatëve të tyre kuislingë,për ndarjen dhe copëtimin e Kosovës. Tashmë po shihet se janë bindur plotësisht edhe ndërkombëtarët që Hashim Thaçi vazhdimisht i ka gënjyer e mashtruar edhe ata,duke u thënë se gjoja kosovarët përkrahin ndryshimin e kufijve,fakt i cili bën që në Gjykatën Speciale të përfundojë edhe Hashim Thaçi,ku se fundi specialja ka nisur edhe një varg tjetër të ftesave.Kjo dëshmon edhe një herë më tepër se jo vetëm shqiptarët dhe qytetarët e Kosovës,por edhe ndërkombëtarët,janë lodhur e stërlodhur me rrenat dhe mashtrimet e Hashim Thaçit,e jo vetëm të atij,por edhe të gjithë klasës së inkriminuar aktuale politike në Kosovë,të cilët detyruan ambasadorin britanik dhe atë amerikan të deklarohen publikisht se edhe durimi i tyre ka një fund,që është sinjali me serioz i deritanishëm për Kosovën dhe "parinë" e saj të degraduar e mafioze,se ngadalë por sigurt gënjeshtarëve,kriminelëve dhe mafiooligarkëve po u vjen fundi", përfundoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Gani Qarri.

(Kosova Sot)