Drejtësia e inkriminuar e lë Kosovën në izolim

  • 18 April 2019 - 07:53
Drejtësia e inkriminuar e lë Kosovën në izolim

Preteni: Që të gjithë titullarët e mekanizmave antikorrupsion janë të shantazhuar dhe puthadorë të politikës

 “Është i dhimbshëm dështimi i drejtësisë, i ligjit, i policisë, i gjykatave, i prokurorëve, i inteligjencës, i arsimit, i shëndetësisë dhe pa dyshim vula kryesore e këtij orteku me dështime janë PDK-ja dhe klani i saj ‘Pronto’. Deri diku këtë faj e bartin edhe partitë dhe klanet e LDK-së dhe AAK-së apo AKR-së, pasi ishin pjesë e pushtetit dhe mbajnë përgjegjësinë morale, por edhe ligjore për dështim të sundimit të ligjit dhe shtetit të Kosovës. Me një prokurori, polici, gjyqësi, inteligjencë, të kapura fort nga mafia e partive politike në pushtet rezultati i sundimit të ligjit dhe lufta kundër krimit të organizuar është zero dhe do të jetë zero edhe në të ardhmen”, thotë analisti Naim Miftari për “Kosova Sot”

Drejtësia mbetet pengesa kryesore edhe për liberalizimin e vizave, pasi ka amnistuar në vazhdimësi krimin e organizuar dhe korrupsionin. Sipas analistëve, për sa kohë prokurorët dhe gjykatësit i emëron vetëm klani “Pronto”, mos të presë kush ndonjë lajm të mirë nga Brukseli. Sipas njohësve të fushës së drejtësisë, si mund të pretendojë kjo Qeveri se do ta japin liberalizimin e vizave kur në radhët e saj ka ministra me aktakuza. Analistët theksojnë se nuk mund të presim lëvizje të lirë në Evropë, me tërë këtë abuzim të pushtetit dhe pasurisë publike nga njerëzit që janë në pozita. Ata pyesin se çka po i pengon prokurorët dhe gjyqtarët të mbështesin me shpatulla për muri mafio-oligarkët që qëndrojnë pas krimit dhe korrupsionit dhe janë urdhërdhënës të çdo vendimi me pasoja ekonomike, politikë e sociale për vendin.

Image
Naim Miftari

 Miftari: Mafia e ka kapur drejtësinë

“Është i dhimbshëm dështimi i drejtësisë, i ligjit, i policisë, i gjykatave i prokurorëve i inteligjencës, i arsimit, shëndetësisë dhe pa dyshim vula kryesore e këtij orteku me dështime janë PDK-ja dhe klani i saj ‘Pronto’.

Deri diku këtë faj e bartin edhe partitë dhe klanet e LDK-së dhe AAK-së apo AKR-së, pasi ishin pjesë e pushtetit dhe mbajnë përgjegjësinë morale, por edhe ligjore për dështim të sundimit të ligjit dhe shtetit të Kosovës. Me një prokurori, polici, gjyqësi, inteligjencë, të kapura fort nga mafia e partive politike në pushtet rezultati i sundimit të ligjit dhe lufta kundër krimit të organizuar është zero dhe do të jetë zero edhe në të ardhmen”, tha analisti Naim Miftari për “Kosova Sot”.

Image
Hasan Preteni

Preteni: Rezultatet zero në luftën kundër korrupsionit

Analisti Hasan Preteni theksoi se nëse parashtrohet si kusht për liberalizimin e vizave lufta kundër korrupsionit, atëherë qytetarët e Kosovës mos të shpresojnë fare. “Ka retorikë politike se po luftohet korrupsioni duke i ndryshuar ligjet e duke organizuar tryeza koti.

Nuk na duhen analiza tjera, ‘Transparency International’, raporti i Progresit dhe Departamenti Amerikan i Shtetit janë barometrat kryesorë se si dhe sa po luftohet korrupsioni. Ka regres në listën e TI-së, ka regres edhe në raportet tjera. Asnjë hetues, asnjë prokuror, asnjë gjyqtar dhe asnjë titullar i institucioneve që kanë për mision luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është sanksionuar, larguar ose dënuar në aspektin disiplinor për mosefikasitet, përkundrazi poltronizmi i tyre u ka shërbyer për ngritje dhe avancim. Ka publikime të numrave që nuk tregojnë asgjë. Cili është rasti që po hetohet dhe kush u dënua për korrupsion dhe krim të organizuar. Asnjë dënim”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.

“Është e vërtetë se disa raste janë në proces, por analizoni se çka po ndodh aty, në një seancë vijnë prokurorët e nuk vijnë avokatët, në tjetrën ndodh e kundërta dhe kështu për arsye procedurale aty shtyhen në pafundësi derisa të mbyllen krejt. Rasti i veteranëve dhe rasti ‘Toka’ janë raste tipike të llojit të vet. Kështu do të përfundojnë edhe të gjitha rastet që tani janë bartur nga EULEX-i. Sa ishin mekanizmat ndërkombëtarë së paku ekzistonte një dozë shprese, tani me vendorët shpresa nuk ekziston fare”, potencoi Preteni.

Image
Naim Kelmendi

Mungon vullneti politik për luftimin e krimit

Analisti Naim Kelmendi vlerëson se lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit mbase ka dështuar me vullnetin e politikës se inkriminuar dhe pushteteve, të cilat e kanë ndikuar dhe kontrolluar sistemin e drejtësisë, mbase edhe e kanë diktuar të zgjedhurit e pozitave, prokurorë e gjyqtarë në sistemin e drejtësisë dhe ata pra, të zgjedhurit e politikës, edhe më tutje janë në këto pozita të drejtësisë kosovare dhe kjo nuk përkon me standardet evropiane.

“Mbase dhe më keq është gjendja e sistemit të drejtësisë së kapur nga politika e inkriminuar që në të shumtën kjo drejtësi u shërben interesave të tyre sesa do të duhej t’i shërbente ligjit dhe të drejtës. Derisa në sistemin e drejtësisë kosovare të emërohen prokurorët e gjyqtarët me urdhrat dhe ndikimet e klanit “Pronto” dhe duke e ditur këtë gjendje bashkësia evropianë atëherë dritë jeshile s’mund të pritet për Kosovën në integrimet evropiane, ngase është pikërisht fakti kryesor i mosfunksionimit të shtetit ligjor dhe moslufta nga sistemi i drejtësisë ndaj krimit të organizuar e korrupsionit të lartë dhe mbase ka edhe ministra në qeveri me aktakuza të ngritura, që e ka bllokuar edhe liberalizimin e vizave nga bashkësia evropiane dhe ketë misionaret evropianë e kanë theksuar sa herë apo qoftë dhe në raportet e Progresit”, vijoi më tej Kelmendi.

“Derisa me pushtetin abuzohet në forma të ndryshme përmes krimit të organizuar dhe korrupsionit e (pa)drejtësia fle, atëherë theksueshëm dhe qartësisht kjo nuk jep sinjale të mira për bashkësinë evropianë për një shtet ligjor e sundim të ligjit në Kosovë”, ka theksuar ai. Sipas tij, nga gjendja në sistemin e (pa) drejtësisë janë politikanët e inkriminuar, bashke me mafio-oligarkët, përfituesit më të mëdhenj të kësaj gjendjeje.

Image
Gent Gjini

 Gjini: Integrimet evropiane, të bllokuara

“Një nga faktorët kyç se përse kemi ngecje në proceset evropiane dhe arsyeja që nuk mund ta fitojmë të drejtën për liberalizim të vizave është edhe segmenti i drejtësisë, përkatësisht ngecjet në mënyrën se sa ne po i luftojmë korrupsionin, ryshfetin, mitën, punësimet partiake, klanore, familjare, moszgjidhjet e lëndëve, parashkrimet e lëndëve dhe dënimet e buta kundrejt profileve të larta publike.

Ambasadori anglez, O’Conell, për të satën herë e nënvizoi se sistemi i drejtësisë duhet të reformohet, në kuptim që duhet të kemi gjyqtarë dhe prokurorë profesionalë, të guximshëm dhe të pavarur në punën e tyre, me qëllim që korrupsioni të luftohet. Por, fatkeqësisht, deklaratat të tilla nga një ambasador i vendit me të respektuar mbeten fontanë dëshirash”, u shpreh avokati Gent Gjini për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)