Haradinaj: Nëse nuk ndëshkohen autorët e Masakrës së Tivarit, historia mund të përsëritet
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në Akademinë përkujtimore me rastin e 74 vjetorit të Masakrës së Tivarit.
Ai thotë se ajo është një prej ngjarjeve më të dhimbshme, dhe një ngjarje ndaj të cilës është bërë më së shumti padrejtësi.
“Nën ndikimin e hegjemonizmit serb, u vranë dhe u hodhën në varreza masive qindra djem e burra të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se institucionet e shtetit jo vetëm që duhet të diskutojnë, por duhet edhe të marrin veprime për të zbuluar të vërtetat rreth këtyre ngjarjeve.
Kreu i Qeverisë ka thënë se Serbia tashmë me të njëjtin diskurs po i mohon të gjitha krimet që ka bërë në Kosovë.
“Kjo nuk i kontribuon pajtimit e normalizimit”, ka thënë Haradinaj.
Ai thotë se pa u ndëshkuar ata që kanë kryer këtë krim makabër, atëherë një gjë e tillë rrezikon që të përsëritet kurdo.
Haradinaj thotë se do të duhet të hidhet dritë mbi një masakër të tillë të kryer nga Serbia, nën sistemin komunist.
Kreu i Qeverisë thotë se Maskra e Tivarit kishte për qëllim spastrimin etnik të Kosovës.
Në këtë tubim të organizuar nën patronatin e presidentit, Hashim Thaçit, ka qenë i ftuar edhe zv.kryeministri Enver Hoxhaj.
(Kosova Sot)