Hong Kongu pritet ta shtyjë miratimin e ligjit kundërthënës për ekstradim

  • 15 June 2019 - 08:39
Hong Kongu pritet ta shtyjë miratimin e ligjit kundërthënës për ekstradim

Qeveria e Hong Kongut pritet ta shtyjë miratimin e projektligjit kundërthënës që do ta mundësonte ekstradimin e qytetarëve të këtij vendi në Kinë.

Udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam, ka refuzuar ta hedhë poshtë projektligjin. Sidoqoftë, disa këshilltarë i kanë bërë thirrje asaj ditëve të fundit që ta bëjë një gjë të tillë.

Qindra mijëra njerëz kanë protestuar kundër këtij projektligji dhe disa protesta tjera pritet të mbahen të dielën për të njëjtën çështje. Zonja Lam do ta mbajë një konferencë për gazetarë të shtunën pasdite.

Qeveria ka thënë se projektligji i propozuar do t’i mbyllë hapësirat ligjore në mënyrë që qytetit të mos bëhet vatër e sigurt për kriminelët.

Megjithatë, analistët thonë se ky projektligj do t’i rrezikonte qytetarët e Hong Kongut nga sistemi i brishtë i drejtësisë kineze dhe do ta dëmtonte pavarësinë juridike të autoriteteve të qytetit. 

Hong Kongu është ish-koloni britanike, por është kthyer nën qeverisjen e Kinës në vitin 1997 sipas marrëveshjes “Një shtet, dy sisteme”, e cila ia jep këtij qyteti një shkallë të caktuar të autonomisë.

Aktivistët e opozitës thonë se miratimi i projektligjit të propozuar do t’ia mundësonte Kinës edhe ekstradimin e personave që i cilëson si kundërshtarë politikë ose që synon t’i përndjekë për shkak të bindjeve fetare, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)