Janjiq: Përfshirja e SHBA’së ka ndryshuar formatin e dialogut Kosovë-Serbi, ata do ta përcjellin gjithë procesin

  • 20 September 2019 - 17:47
Janjiq: Përfshirja e SHBA’së ka ndryshuar formatin e dialogut Kosovë-Serbi, ata do ta përcjellin gjithë procesin

Analisti serb dhe drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq, ka thënë se me përfshirjen direkte të SHBA’së në dialogun Kosovë-Serbi, përmes Përfaqësuesit Special, Matthew Palmer, tashmë do të ketë edhe një format të ri të bisedimeve.

Sipas tij tashmë SHBA’ja do ta vëzhgojë për nga afër të gjithë procesin.

“ Në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, është e rëndësishme që tashmë kemi hyrë në një format ë ri, që do të thotë se Përfaqësuesi Special do të marr pjesë dhe do të ndjek procesin e negociatave mes Prishtinës dhe Begradit”, ka thënë Janjiq.

Ai thotë se palët tashmë janë në pritje të vazhdimit të dialogut, ndërkohë thotë se edhe BE-ja do të emërojë një të dërguar të posaçëm për dialogun.

Janjiq thotë se me kyçjen e SHBA’së në proces, iu është dhënë fund edhe rreziqeve për përshkallëzim të mëtejshëm të mospajtimeve mes palëve.

Sa i përket mundësisë së përfshirjes së Rusisë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Janjiq është skeptik.

Sipas tij fillimisht duhet gjykuar fakti nëse Moska zyrtare vërtetë dëshiron që të ndihmojë procesin.

Analisti serb thotë që në momentin që Kosova dhe Serbia të ulën në tryezën e dialogut, atëherë mundësia dhe rreziku për tensione do të ulët ndjeshëm.

Për të Palmeri do të ndërmjetësojë mes palëve me tendencën për të qenë sa më efikas.

 “Sa më shpejtë që fillojnë bisedimet, rreziku për konflikte do të zvogëlohet, dhe qëllimi është arritja e marrëveshjes”, potencon Janjiq.

Në fund ai thotë se roli i Shteteve të Bashkuar të Amerikës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë do të  mbushë boshllëkun që ka lënë Federica Mogherini përgjatë kohës sa ka ndërmjteësuar dialogun mes dy palëve.

(Kosova Sot Online)