Deliu: Ftesa për seancë në ora 20:00 e çuditshme

  • A.P /
  • 05 July 2025 - 14:51
Deliu: Ftesa për seancë në ora 20:00 e çuditshme

Sekretari i Kuvendit, Arben Loshi, tha se me kërkesë të kryesuesit të seancës, Avni Dehari, vazhdimi i seancës konstituive sot është shtyrë për në ora 20:00 pas kërcënimit me bombë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Për këtë ftesë për seancë ka ngritur pyetje deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, e cila tha se është “e çuditshme” si po e di kryesuesi i seancës se ambientet janë të sigurta derisa policia po vazhdon kontrollin dhe nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare nëse Kuvendi është i sigurt për të vazhduar punimet.

“Pa dashur të hyjmë në spekulime, por ftesa për seancë në orën 20:00 është, të paktën, e çuditshme. Kontrolli në Kuvend pas alarmit për bombë ende nuk ka përfunduar. Nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga Policia. E megjithatë, dërgohet ftesa për seancë – sikur gjithçka është në rregull. Si po e di kryesuesi se ambientet janë të sigurta dhe se puna mund të vazhdojë pa asnjë pengesë? P.S. Edhe në këto momente, ndërsa po e bëj këtë postim, Policia ende po i kontrollon hapësirat e Kuvendit”, ka shkruar Deliu.

Seanca ishte planifikuar të mbahet sot në ora 11:00, por pas alarmit për bombë që u ngrit, policia dha urdhër për evakuim.

(Kosova Sot Online)