‘Ana e errët’, kështu financohen nga fondet e dyshimta partitë kosovare

  • 24 September 2019 - 07:38
‘Ana e errët’, kështu financohen nga fondet e dyshimta partitë kosovare

“Ne e kemi shembullin konkret të kompanisë Devolli e cila është financues i shumicës së partive politike, madje ka pasur edhe raporte të publikuara nga KQZ-ja në të kaluarën që e kanë identifikuar këtë biznes si financues i partive politike, por që tani një praktikë e tillë nuk po zbatohet dhe nuk ka të dhëna transparente. Të njëjtin rast e kemi edhe tek biznesmeni tjetër Ramiz Kelmendi i cili i kushtëzon partitë politike për financimin e fushatës nga fondet e biznesit të tij, me kontraktimin e pozitës në qeverisje”, tha Hertica për Kosova Sot Online”.

Image
Ali Hertica

Nisur nga fakti që subjektet politike për të gjitha këto vite që po mbeten mbrapa, në asnjë palë zgjedhje nuk i kanë treguar burimet e tyre të financimit dhe kështu vazhdojnë akoma të jenë të mbyllura për qytetarët, analistët politik konsiderojnë se pikërisht kjo anë errët e partive politike, pra mungesa e transparencës së mënyrës dhe burimeve të tyre të financimit, nuk mundë të premtojë qeverisje të mirë dhe transparente nga ana e tyre edhe pas marrjes së pushtetit.

Sipas analistëve, lidhja e tyre me krimin e organizuar, financimi nga burime të pista financiare, nga biznese klienteliste të cilave jua shpërblejnë financimin e fushatës zgjedhore pas ardhjes në pushtet në mënyrë të pa ligjshme, i detyron këto parti politike që gjatë qeverisjes së tyre të bien ndesh edhe me ligjin dhe të abuzojnë pakufishëm me pushtetin.

Kështu mendon edhe analisti politik, Ali Hertica.

“Kur jemi tek financat e partive politike, qoftë për funksionimin e tyre gjatë mandati të rregullt parlamentar apo edhe për situatën e jashtëzakonshme të financimit të fushatës zgjedhore, përveç fondeve nga buxheti i konsoliduar i shtetit që ju takojnë sipas ligjit, deri më tash nuk kemi parë asnjëherë raporte publike, të besueshme e transparente , të cilat zbulojnë burimet tjera të financimit milionësh të shpenzimeve të partive politike. Si të tilla, këto parti politike as në qeverisjen e besuar nga qytetari nuk mundë të jenë të përgjegjshme dhe transparente”, tha Hertica për “Kosova Sot Online”.

Sipas Herticës, edhe zgjedhjet e 6 tetorit, partive politike do të ju kushtojnë me miliona, pasi fushata ka nisur dy muaj para kohe dhe ajo nuk zhvillohet pa para, por se praktika e kaluar e fshehjes së burimeve të financimit, është e sigurt që do të përsëritet edhe këtë herë ngase nuk ka pasur deri më tani asnjë rast të hetimit të mënyrës së financimit në zgjedhjet e kaluara.

“Është një e vërtetë publike që të gjitha partitë politikë kanë shtresën e tyre të bizneseve që i financojnë në mënyra të ndryshme, ndonëse ato financa nuk raportohen ,as burimet nuk bëhen publike. Kjo mënyrë financimi funksionon si grup interesi me biznesin e caktuar i cili pozicionohet politikisht varësisht nga pozita e partive politike, në pushtet apo në opozitë, por gjithmonë me mungesë transparence. Për këtë pasojë kemi edhe qeverisje të korruptuar dhe klienteliste sepse shërbimi që i bëhet politikës nga biznesi, kompensohet në forma të ndryshme,kryesisht me tenderomani, pas ardhjes në pushtet. Është pra një fakt i pa mohueshëm se të gjitha partitë politike pa dallim, kur është çështja e financimit, po e shkelin ligjin, kurse drejtësia nuk ndërmerr asgjë ndaj tyre, ato janë të ledhatuara dhe amnistuara për këtë mënyrë veprimi e funksionimi”, shtoi Hertica për “Kosova Sot Online”.

Madje ai nuk heziton të përmend edhe emra konkret të biznesmenëve të mëdhenj të cilët qëndrojnë prapa financimit të partive kryesore politike, por që në pasqyrat e tyre financiare, nuk paraqiten emrat e tyre, pavarësisht se opinioni publik e ka mësuar kaherë këtë të vërtetë.

“Ne e kemi shembullin konkret të kompanisë Devolli e cila është financues i shumicës së partive politike, madje ka pasur edhe raporte të publikuara nga KQZ-ja në të kaluarën që e kanë identifikuar këtë biznes si financues i partive politike, por që tani një praktikë e tillë nuk po zbatohet dhe nuk ka të dhëna transparente. Të njëjtin rast e kemi edhe tek biznesmeni tjetër Ramiz Kelmendi i cili i kushtëzon partitë politike për financimin e fushatës nga fondet e biznesit të tij, me kontraktimin e pozitës në qeverisje. Biznesmeni Ramiz Kelmendi ka qenë për disa mandate i angazhuar edhe politikisht, deputet i Kuvendit por edhe në ekzekutiv, në pozitën e zëvendëskryeministrit për zhvillim ekonomik. Rastet e tillë dëshmojnë më së miri se sa thellë është e lidhur politika me biznesin por që këto lidhje mbahen të fshehta kur janë në pyetje donacionet milionëshe, e të cilat në një shtet normal e m drejtësi të pa varur do të duhej të hetoheshin”, përfundoi Ali Hertica për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )