Kur do të ndodhë koalicioni mes Vetëvendosjes dhe LDK-së?

  • 23 October 2019 - 19:59
 Kur do të ndodhë koalicioni mes Vetëvendosjes dhe LDK-së?

Vjosa Osmani e cila ishte kandidate e Lidhjes Demokratike të Kosovës për postin e kryeministres, në një intervistë për medie, pasi u kthye nga ShBA-të është shprehur optimiste se koalicioni i ardhshëm qeverisës me Vetëvendosjen do të formohet pas certifikimit të rezultatit zgjedhor.

Ajo po ashtu flet për dialogun me Serbinë dhe marrëveshjen finale, për cilën thotë se nuk duhet të arrihet pa bekimin e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë. Edhe pse takimet mes këtyre dy partive po vazhdojnë, ende nuk ka asgjë konkrete.

Image
Faik Krasniqi

Por a do të arrihet ky koalicion apo do të kemi bllokim si në vitin 2014, për "Kosova Sot Online", foli analisti Faik Krasniqi.

"LVV dhe LDK kanë premtuar që menjëherë pas certifikimit të rezultateve do të arrijnë marrëveshje për koalicion qeverisës. Në vitin 2014-të kemi pasur një situatë tjetër. Atëherë u bën të gjitha partitë bashkë kundër PDK-së, por në fund LDK-ja i tradhtoi. Mund të kemi përsëri zgjedhje nëse LVV dhe LDK nuk arrijnë të dakordohen për bashkëqeverisje, por jo edhe bllokim me muaj të tërë", tha Krasniqi për "Kosova Sot Online".

Më tej, ai tha se beson se shumë shpejt Republika e Kosovës do të ketë qeverinë në krye me Albin Kurtin.

"Besoj që më së largu 1 muaj do ta kemi qeverinë e re, me kryeministër Albin Kurti. Presidentit nuk i takon t'i udhëheq bisedimet me Serbinë. Albin Kurti si kryeministër do t'i udhëheq këto bisedime. Frikën e bisedimeve e ka edhe presidenti serb Vuciq, sepse e dinë fare mirë se do të ketë përballë Albin Kurtin, një njëri që nuk bën kompromise në dëm të shtetit", përfundoi Krasniqi, për "Kosova Sot Online".

(Kosova Sot Online)