SBASHK-u kërcënon me grevë nëse qeveria nuk ndan mjetet në kuadër të Ligjit për paga

  • 27 February 2020 - 15:27
SBASHK-u kërcënon me grevë nëse qeveria nuk ndan mjetet në kuadër të Ligjit për paga

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i ka bërë thirrje qeverisë që në Ligjin e Buxhetit për vitin 2020 të planifikojë edhe mjetet në kuadër të Ligjit për Paga. 

SBASHK-u përmes një komunikate për media ka thënë se nëse Ministria e Financave nuk bënë planifikim buxhetor për Ligjin e Pagave atëherë do të ketë bojkotim të procesit mësimor. 

“Nëse Ministria për Financa nuk bën planifikime buxhetore  për ligjin e pagave dhe Qeveria përkrah një ide të tillë, atëherë  në tërë sistemin arsimor  do të përsëritej situata e janarit të vitit të kaluar, gjegjësisht bazuar në kërkesat e anëtarësisë  do të ketë veprime sindikale  dhe grevë në nivel vendi  nga çerdhet, institucionet e Arsimit Parauniversitar dhe në të gjitha Universitetet publike”, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut.

SBASHK-u i ka bërë thirrje publike Kryeministrit Kurti që në projektligjin e buxhetit 2020 të planifikojë edhe Ligjin e pagave

“SBASHK-u  i drejtohet me këshillën publike Kryeministrit Kurti  dhe Qeverisë së Republikës  së Kosovës që  duke planifikuar  Projektligjin për buxhetin e vitit 2020  të mos e harrojnë Ligjin e pagave, implementimin e të cilit më të drejtë e presin  mijëra të punësuar në sektorin publik e mes tyre edhe ata në sektorin e arsimit”, thuhet në komunikatë.

Sindikata e Arsimit e ka ftuar Kryeministrin Kurti në një takim gjatë ditëve në vijim.

“SBASHK-u me qëllim që çështjet të sqarohen me dialog i ka dërguar kërkesë Kryeministrit Albin Kurti  për takim  në afatin më të afërt të mundshëm , qoftë edhe në ditët e vikendit, ndërsa të hënën do të mbaj takim të jashtëzakonshëm konsultativ lidhur me situatën me kryetarët e nivelit sindikal komunal dhe të Universiteteve për të marrë hapa  dhe veprime konkrete bazuar  karshi  situatës”, thonë nga SBASHK-u.

(Kosova Sot Online)