Prishtina një kaos në vete, çdo e dyta rrugë duke u rregulluar, punimet zgjasin me muaj

  • E.K /
  • 18 August 2020 - 09:18
Prishtina një kaos në vete, çdo e dyta rrugë duke u rregulluar, punimet zgjasin me muaj

Banorët e disa prej lagjeve të Prishtinës po paralajmërojnë protesta për shkak të vonesave në ndërtimin e rrugëve. Prishtinasit po ankohen se po hasin në vështirësi gjatë lëvizjes, për shkak të tollovisë që po shkaktohet nga punimet nëpër rrugë.

“Muharrem Fejza”, “Perandori Justinian”, “Gazmend Zajmi” e “Rexhep Mala” në drejtim të rrugëve “Ali Pashë Tepelena” e “Karl Gega”, “Fehmi Lladrovci”, janë disa prej rrugëve të kryeqytetit në të cilat po kryhen punime.

Pejton

Vonesat në disa prej këtyre rrugëve po iu sjellin telashe banorëve të cilët po paralajmërojnë edhe protesta. Madje, në njërën prej rrugëve, një qytetarë ishte rrëzuar dhe kishte pësuar lëndime trupore.

Pluhur e pamundësi për të ecur lirshëm po shkaktojnë punimet e rrugëve të Prishtinës.

Disa prej tyre, nuk kanë përfunduar në afatin kohor të caktuar, e kjo edhe po i shqetëson qytetarët.

Prishtinasit po paralajmërojnë protesta kundër Komunës së Prishtinës, pasi po iu pamundësohet lëvizja e lirë për shkak të punimeve nëpër këto rrugë.

Banorët e lagjes “Mati 1”në Prishtinë kanë paralajmëruar bllokimin e rrugës “Muharrem Fejza”

Ky reagim i banorëve është bërë shkak infrastruktura rrugore ku sipas tyre është dëmtuar pothuajse e tëra.

Në një grup të krijuar në rrjetin social në Facebook kanë krijuar një mundësi votimi se kush është për dhe kush kundër kësaj proteste.

Për pak orë mbi 100 persona kanë votuar për dhe asnjë kundër.

Qytetari i kësaj lagjeje Dren Shahini, ka thëne se jemi injoruar dhe përbuzur vazhdimisht nga Komuna.

“Kemi duruar e mirëkuptuar si asnjë lagje tjetër. Jemi injoruar e përbuzur vazhdimisht nga Komuna e kryetari! Për çdo problem duhet njëherë krejt mediat t’i njoftojmë pastaj pason reagimi i tyre. Siç e përjetoni çdo ditë, rruga “Muharrem Fejza” tashmë është krejtësisht e dëmtuar! #GROPAT PO NA KUSHTOJNË! Na ka mbetur vetëm një mundësi: BLLOKIMI I RRUGËS SI REAGIM REVOLTE! A jeni për një PROTESTIM TË TILLË?”, ka shkruar Dren Shahini në këtë grup, që është banor i kësaj lagjeje dhe ndër më aktivët”, ka shkruar Shahini.

Punimet që po kryhen në rrugën “Perandori Justinian” në lagjen “Pejton” të kryeqytetit kanë bërë që qytetarët të hasin në vështirësi qarkullimi.

Madje para disa ditësh, një qytetare është lënduar për shkak se në rrugën ku po kryhen punimet, nuk ka ndriçim.

Lëndimi kishte ndodhur derisa 23-vjeçarja ishte rrëzuar në litarin nivelizues të vendosur nga kompania që po kryen ndërtime atje, litar ky që është i padukshëm natën.

Për koicidencë, alarmin se dikush mund të pësojë pikërisht në këtë punishte e kishte ngritur rreth 10 ditë më parë babai i vajzës që pësoi aksident, Besim Krasniqi.

E 10 ditë më vonë, Besim Krasniqi lajmëroi përmes Facebook-ut se njëri nga fëmijët e tij ka pësuar lëndime. Ai e ka raportuar rastin në Polici, ndërsa ka ftuar kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe Inspektoratin e Komunës që të mbajnë përgjegjësi.

Media disa herë ka pyetur në Komunën e Prishtinës se kur do të përfundojnë punimet në disa prej rrugëve në të cilat ka pasur vonesa, mirëpo deri në publikimin e tekstit nuk ka marrë asnjë përgjigje.

(Kosova Sot Online)