Në AKK ende asnjë ankesë për ndonjë keqpërdorim rreth çmimeve të testeve të COVID-19

  • G.G /
  • 19 August 2020 - 12:36
Në AKK ende asnjë ankesë për ndonjë keqpërdorim rreth çmimeve të testeve të COVID-19

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës që nga dita kur Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se janë licencuar një numër i laboratorëve që do të ofrojnë testimin për virusin SARS-CoV-2, ka filluar me monitorimin e këtij tregu përkatës, në mënyrë që të evitohet çfarëdo shkelje e mundshme e konkurrencës.

Megjithëkëtë deri më tani Autoriteti i Konkurrencës nuk ka pranuar ende ndonjë kërkesë nga qytetarët për ndonjë keqpërdorim të mundshëm.

Kështu kanë njoftuar zyrtarë nga Autoriteti i Konkurrencës.

“Jemi duke monitoruar sjelljen e këtyre institucioneve shëndetësore, me theks të veçantë në caktimin e çmimeve të shërbimeve. Në Autoritetin e Konkurrencës nuk kemi pranuar ende ndonjë ankesë nga qytetarët, por i ftojmë të gjithë që t’i drejtohen AKK-së në rast se shohin ndonjë parregullsi eventuale”, thuhet në komunikatë.

Nga Autoriteti theksojnë se laboratorët e licencuar mund t’i drejtohen Autoritetit të Konkurrencës në rast se kanë nevojë për ndonjë sqarim lidhur me këtë çështje.

“Gjithashtu ju njoftojmë se çdo të premte, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës do jap deklaratë për medie rreth procesit të Monitorimit të Çmimve”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)