Licencohen edhe 18 laboratore tjera për kryerje të testeve serologjike në Kosovë

  • E.K /
  • 20 August 2020 - 11:35
Licencohen edhe 18 laboratore tjera për kryerje të testeve serologjike në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar të enjten se ka licencuar edhe 18 laboratore tjera për kryerje të testeve serologjike në Kosovë.

Përmes këtyre testeve, një person e kupton nëse është prekur në të kaluarën me koronavirus, apo nëse ka krijuar anti-trupa ndaj tij.

Marrë parasysh njoftimin e fundit, në gjithë territorin e Kosovës deri më tani janë licencuar 87 laboratorë për kryerje të testeve serologjike dhe virologjike për sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Për dallim nga testet serologjike, testet virologjike – që aktulisht kryhen edhe në dy laboratore private në Kosovë – përcaktojnë nëse një person është i infektuar me koronavirus në kohën kur testohet.

Më 10 gusht, Ministria e Shëndetësisë ka nisur lëshimin e licencave për institucionet private shëndetësore që ato të kryejnë teste për COVID-19. Më parë, këtë shërbim e kryente vetëm Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 11,848 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.

(Kosova Sot Online)