Lexoni edhe:
Profesori i njohur : Rrini të qetë, çdo gjë do të shkoj mirë, ja edhe sa ditë na duhet që virusi të shkoj në zero dhe ne të vazhdojmë jetën normale
Të hënën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, në gjykimin për keqpërdorim detyre dhe marrje e ryshfetit ndaj pylltarit Ismet Tahiri, në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar Qamil Hajra.
Tahiri po akuzohet se në cilësinë e pylltarit ka pranuar ryshfet nga tani i ndjeri Niman Fejza, në këmbim të lejimit për të prerë dru në pyll, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me këtë akuzë, dëshmitari Hajra, në cilësinë e pylltarit që kishte mbuluar zonën e Bajgorës, tha se nuk e di nëse i ndjeri Fejza i ka dhënë para të pandehurit Tahiri.
“A ke dëgjuar që Ismet Tahiri ka kërkuar para prej Sylë Fejzës, në emër të prerjes së pyllit?”, ka pyetur prokurori Naim Beka.
“Kjo nuk qëndron, unë se kam dëgjuar duke kërkuar para”, është përgjigjur dëshmitari Hajra, duke shtuar se as nuk ka dëgjuar ndonjë incizim ku përfshihet kontakti në mes të ndjerit Fejza dhe të akuzuarit Tahiri.
Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të ta akuzuarit, avokatit Skender Musa, dëshmitari tha se tani i pandehuri nuk ka pasur ndonjë vërejtje për punën e tij dhe se ka qenë një ndër punëtorët më të mirë në sektorin e pylltarisë në nivelin komunal.
Pas dëgjimit të tij, gjykimi ka vazhduar me administrimin e provave, gjatë së cilit proces është dashur të ndërpritet seanca.
Kjo në mungesë të kushteve teknike që të dëgjohej audio-incizimi ku ishte zhvilluar biseda në mes të pandehurit Tahiri dhe të ndjerit Fejza, si provë e propozuar nga prokuroria.
Në këto rrethana, gjykatësi Radosllav Markoviq e ka caktuar seancën e radhës për 29 shtator 2020, në ora 10:00.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 29 nëntor 2018, Ismet Tahiri, po akuzohet se në periudhën kohore prill-maj 2016, në fshatin Zabërgj të Komunës së Mitrovicës, në cilësinë e personit zyrtar, në rastin konkret pylltar, ka pranuar përfitim për vete nga Nimon Fejza.
Bazuar në aktakuzë, i akuzuari Tahiri, duke mos vepruar në pajtim me detyrën e tij, ka lejuar që personi Nimon Fejza, pa leje përkatëse të presë dru në vendin e quajtur te “Kërshat e këqij” dhe të njëjtat t’i transportojë për t’i shitur në Mitrovicë, ashtu që për çdo transporti nga Fejza, për katër raste ka pranuar shumën prej 50 euro, e që gjithsej shuma e parave të kërkuara dhe të pranuara arrijnë vlerën 200 euro.
Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës, Ismet Tahiri po akuzohet se në kohën dhe vendin e njëjtë si në pikën e parë të dispozitivit të aktakuzës, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare ka tejkaluar kompetencat e tij, pavarësisht se në cilësinë e pylltarit ka pasur për obligim që të mbrojë pyllin shtetëror nën mbikëqyrjen e Agjencisë Pyjore të Kosovës.
Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Tahiri nga veprimet e tij, i ka sjellë dobi Nimon Fejzës, ashtu që në katër raste drutë e prera i ka bartur me kamion dhe i ka shitur më pas në Mitrovicë, në shumë prej 500 euro për secilin, duke i shkaktuar dëm Agjencisë Pyjore të Kosovës.
Me këtë, Ismet Tahiri, po ngarkohet për kryerjen e veprave penale “marrja e ryshfetit” nga neni 428, paragrafi 1 dhe veprën penale “keqpërdorim i i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Pika e tretë e dispozitivit të aktakuzës, e cila i referohet të akuzuarit tjetër në këtë rast, Sylë Fejza, ku këtë të fundit e ngarkon me veprën penale të pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Fejza, më 8 qershor 2016, u ka bllokuar rrugën personave zyrtarë dhe atë pylltarëve Ismet Tahiri dhe Ramadan Salihu, të cilët thuhet se ishin duke kryer detyrat e tyre zyrtare, ashtu që përderisa ishin duke lëvizur me automjetin zyrtar, i akuzuari Fejza, e kanos pylltarin Ismet Tahiri, duke e sharë dhe duke iu vërsulur, e që siç thuhet në aktakuzë, të njëjtit detyrohen që me automjetin zyrtar të futen në një rrugë anësore dhe të rikthehen përsëri në rrugën kryesore.
Me këtë, Sylë Fejza ngarkohet me veprën penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, nga neni 409, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
(Kosova Sot Online)