Irani rrit pretendimet territoriale mbi 'Ngushticën e Hormuzit'
Irani e ka zgjeruar mënyrën se si e përcakton Ngushticën e Hormuzit , duke e shndërruar atë në një “zonë të madhe operative” shumë më të madhe se sa ishte para luftës me SHBA-në dhe Izraelin, sipas një oficeri të lartë në Marinën e Gardës Revolucionare (IRGC).
Mohammad Akbarzadeh, zëvendësdrejtor politik i korpusit detar të IRGC-së, i tha agjencisë së lajmeve Fars se ngushtica nuk konsiderohet më një zonë e kufizuar detare rreth disa ishujve, por një zonë më e gjerë strategjike dhe ushtarake .
“Në të kaluarën, Ngushtica e Hormuzit përcaktohej si një zonë e kufizuar rreth ishujve si Hormuzi dhe Khenghami , por sot ky perceptim ka ndryshuar”, tha ai.
Sipas tij, zona e re operative shtrihet nga qyteti i Jaskut në lindje deri në ishullin e Sirit në perëndim.
Mediat iraniane, raportuan se gjerësia e zonës që Irani tani e konsideron “Ngushtica e Hormuzit” është rritur nga rreth 20-30 milje në 200-300 milje, duke mbuluar pothuajse dhjetë herë më shumë zonë.
Rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm kalon zakonisht nëpër Ngushticën e Hormuzit, e cila është rruga kryesore e eksportit detar për vende të tilla si Arabia Saudite, Iraku dhe Katari.
Njoftimi shënon zgjerimin e dytë të rëndësishëm të pretendimeve iraniane që nga fillimi i konfliktit me SHBA-në dhe Izraelin.
Më 4 maj, Garda Revolucionare kishte paraqitur tashmë një hartë që tregonte një zonë të zgjeruar kontrolli përgjatë një pjese të madhe të bregdetit të Emirateve të Bashkuara Arabe në Gjirin e Omanit .
(Kosova Sot Online)
