Spitali gjerman ku po trajtohet kundërshtari i Putin tregojnë nëse ai është helmuar

  • A.P /
  • 24 August 2020 - 19:06
Spitali gjerman ku po trajtohet kundërshtari i Putin tregojnë nëse ai është helmuar

Spitali në Berlin që po trajton liderin e opozitës ruse të sëmurë rëndë, Alexei Navalny, ka deklaruar se duket se ai është helmuar.

Spitali Charité bëri një deklaratë duke thënë se provat klinike tregojnë shenja helmimi.

“Ekipi i mjekëve ekzaminoi me hollësi pacientin pas arritjes së tij. Gjetjet klinike flasin për helmim nga një lëndë që bën pjesë në grupin e substancave aktive të quajtur ‘frenues të kolinesterazës’”, tha spitali në një deklaratë.

Navalny, kundërshtar i presidentit rus Vladimir Putin, u sëmur rëndë të enjten e kaluar, ndërsa aleatët e tij besojnë se ishte një helmim. Navalny u dërgua të shtunën në Gjermani për trajtim me një avion ambulancë.

Përkrahësit e tij dyshojnë se lënda helmuese ishte hedhur në një filxhan çaji që ai piu në aeroport në Tomsk.

Mjekët rusë insistuan më parë se nuk ishte gjetur helm në trupin e tij dhe sugjeruan një çrregullim metabolik të shkaktuar nga sheqeri i ulët në gjak.

Por zyrtarët rusë shëndetësorë treguan se gjurmët e një lënde kimike industriale ishin gjetur në lëkurën dhe flokët e tij.

Kreu i opozitës është në kujdesin intensiv dhe është ende në gjendje kome.

(Kosova Sot Online)