Gjermania tha se kundërshtari i Putinit mund të jetë helmuar, reagon SHBA

  • A.P /
  • 25 August 2020 - 19:33
Gjermania tha se kundërshtari i Putinit mund të jetë helmuar, reagon SHBA

Shtetet e Bashkuara thanë se janë thellësisht të shqetësuara nga konkluzionet paraprake të raportuara nga ekspertët mjekësorë gjermanë se aktivisti i opozitës ruse Aleksey Navalny ishte helmuar.

Sekretari i shtetit Mike Pompeo tha në një deklaratë se “nëse raportet rezultojnë të sakta, Shtetet e Bashkuara mbështesin thirrjen e BE për një hetim gjithëpërfshirës dhe janë të gatshme të ndihmojnë në këto përpjekje.”

“Familja e Navalny dhe populli rus meritojnë të shohin një hetim të plotë dhe transparent, dhe që personat e përfshirë të vihen përpara përgjegjësisë.”

Komentet e Pompeo vijnë pas deklaratave të bëra të martën nga Kremlini se tani për tani nuk ekziston nevoja për të hetuar rrethanat që çuan në sëmurjen e papritur të politikanit të opozitës Alexei Navalny dhe se diagnoza fillestare për helmim e dhënë nga një klinikë gjermane ende nuk është përfundimtare.

Kancelarja gjermane Angela Merkel i bëri thirrje të hënën Rusisë të hetonte helmimin e dyshuar të Navalny dhe për të mbajtur autorët përgjegjës. Komentet e saj erdhën pasi mjekët gjermanë gjetën shenja të një lënde helmuese në trupin e tij.

Por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se klinika gjermane nuk e kishte identifikuar përfundimisht lëndën në fjalë dhe se nuk ishte e qartë se përse mjekët gjermanë “nxituan” të përdornin fjalën helmim.

“Duhet të kesh një arsye për të nisur një hetim. Për momentin, si ju ashtu edhe unë shohim se pacienti është në gjendje kome,” u tha Peskov gazetarëve në një konferencë telefonike.

Ai shtoi se nëse helmimi përcaktohej përfundimisht si shkaku i sëmundjes, atëherë do të hapej një hetim.

“Nëse substanca është identifikuar dhe është përcaktuar se bëhet fjalë për helmim, atëherë, natyrisht, kjo do të jetë arsye për një hetim,” shtoi zëdhënësi i Kremlinit.

(Kosova Sot Online)