Mijëra suedezë pozitivë për shkak të gabimit në teste

  • E.K /
  • 26 August 2020 - 09:41
Mijëra suedezë pozitivë për shkak të gabimit në teste

Rreth 3,700 njerëz në Suedi morën një rezultat të pasaktë se janë pozitivë me virusin e koronës për shkak të një gabimi në pajisjet e testimit, të cilat mbërritën nga Kina, njoftoi sot Agjencia e Shëndetit Publik e këtij vendi.

Sipas agjencisë, pajisjet e kompanisë “BGI Genomics” nuk mund të vërejnë ndryshimin midis nivelit shumë të ulët të infeksionit dhe rezultatit negativ, raporton Reuters.

“Furnizuesi duhet të rregullojë performancën e kërkuar për të përdorur këtë test,” tha Karin Tegmark Visel, drejtuese e Departamentit të mikrobiologjisë.

Ajo shtoi se e njëjta pajisje testimi u eksportua në vendet e tjera, por nuk dha detaje në lidhje me këtë.

Rezultatet e gabuara kishin pak efekt në statistikat mbi numrin e personave të infektuar me virusin korona.

Agjencia njoftoi sot se nga shpërthimi i pandemisë, janë konfirmuar 86.891 raste të koronavirusit, ndërsa 5.814 njerëz kanë vdekur.

(Kosova Sot Online)