Një çerek shekulli nga ekstradimi i Sllobodan Millosheviçit

  • A.P /
  • 27 June 2026 - 16:00
Një çerek shekulli nga ekstradimi i Sllobodan Millosheviçit

Sllobodan Millosheviq, i cili për dhjetë vjet qeverisi në mënyrë autoritare Serbinë dhe Jugosllavinë e atëhershme – të përbërë nga Serbia me Kosovën dhe Mali i Zi – u ekstradua në Hagë para 25 vjetësh.

Ekstradimi u bë në ditën e Vidovdanit – një festë kombëtare e Serbisë e lidhur me Betejën e Kosovës kundër Perandorisë Osmane në vitin 1389 dhe një ngjarje me simbolikë të veçantë për nacionalistët serbë.

Ndonëse ka kaluar një çerek shekulli nga ajo kohë, në Serbi, edhe sot e kësaj dite, vazhdojnë të jenë të fortë zërat që minimizojnë ose mohojnë përgjegjësitë e Millosheviqit për luftërat në ish-Jugosllavi, të cilat morën mbi 100 mijë jetë njerëzish, si dhe për izolimin ndërkombëtar të Jugosllavisë, që e zhyti vendin në varfëri të thellë dhe kriminalitet.

Ku janë sot trashëgimtarët e Millosheviqit, e ku viktimat e regjimit?
Sot, figura më e pranishme në media nga familja e Millosheviqit është nipi i tij 27-vjeçar, Marko Millosheviq.

Babai i tij, djali i Sllobodan Millosheviqit, i cili po ashtu e ka emrin Marko, u largua nga Serbia menjëherë pas rrëzimit të regjimit në tetor të vitit 2000 dhe u zhvendos në Moskë, ku jeton edhe sot.

Ish-bashkëshortja e tij e parë u kthye në Serbi me djalin e porsalindur dhe u vendos në shtëpinë familjare të Millosheviqëve në Pozharevc – rreth 80 kilometra në lindje të Beogradit.

Pasi përfundoi studimet në Fakultetin Juridik, Marko Millosheviq hyri në politikë.

Sot, ai është deputeti më i ri i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) në Kuvendin e Serbisë.

Sllobodan Millosheviq e udhëhoqi këtë parti deri në vdekjen e tij, në vitin 2006, ndërsa partia nuk u distancua kurrë prej tij.

(Kosova Sot Online)