IPK jep detaje për policët e suspenduar në Mitrovicë

  • E.K /
  • 26 August 2020 - 13:36
IPK jep detaje për policët e suspenduar në Mitrovicë

Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar suspendimin e gjashtë zyrtarëve policor në Mitrovicën e Veriut, të cilët nuk kanë reaguar në një rast të rrahjes së disa qytetarëve.

Sipas IPK’së, zyrtarët e suspenduar kanë dështuar të reagojnë në nivelin e duhur profesional.

“Sidoqoftë, ekziston dyshimi se disa zyrtarë policorë kanë dështuar të reagojnë bazuar në autorizimet e tyre për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe nuk kanë reaguar në nivelin e duhur profesional në këtë incident”, ka njoftuar IPK.

Për këtë shkak, IPK ka suspenduar gjashtë zyrtarë policorë, në mesin e të cilëve edhe një kapiten.

“Bazuar në këtë, Drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut ka suspenduar 6 zyrtarë policorë (në mesin e tyre edhe një zyrtar policor me gradën e kapitenit)”, thekson njoftimi i IPK’së.

IPK bashkë me prokurorinë kanë filluar procedurat hetimore për këtë rast.

“Lidhur me rastin është i njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës. Hetuesit e IPK-së në përputhje me autorizimet ligjore dhe fushëveprimin e Inspektoratit Policor kanë filluar një procedurë hetimore preliminare në koordinim edhe me prokurorinë kompetente”, njofton IPK.

(Kosova Sot Online)