Aksidenti tragjik, pezullohen nga detyra krerët e policisë
Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra tre drejtues të lartë të Policisë në Durrës, pas aksidentit të rëndë të ndodhur një ditë më parë, ku humbën jetën dy të mitur dhe u plagos një tjetër.
Vendimi është marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, i cili, në zbatim të rregullores, ka argumentuar pezullimet me “performancë të dobët në përmbushjen e detyrave”.
Të pezulluarit janë: drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Afrim Tafa; zëvendësdrejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike, Zija Sulaj; si dhe shefi i Sektorit të Policisë Rrugore, Kreshnik Skëndo.
“Gjithashtu, menjëherë pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi Drejtorinë e Policisë Rrugore për të ngritur një grup ekspertësh të cilët shkuan në vendngjarje për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit”, thuhet në njoftimin e policisë.
(Kosova Sot Online)
