Mjekët në SHBA identifikojnë një person i cili besohet të jetë infektuar dy herë me coronavirus

  • E.K /
  • 29 August 2020 - 12:38
Mjekët në SHBA identifikojnë një person i cili besohet të jetë infektuar dy herë me coronavirus

Një burrë 26 vjeçar nga Nevada besohet të jetë rasti i parë i riinfektimit me COVID-19 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, testet gjenetike tregojnë se i njëjti ishte infektuar me dy lloje të ndryshme të virusit, raportoi një ekip nga Departamenti i Mjekësisë në Universitetin e Nevadas dhe nga Laboratori i Shëndetit Publik në vend.

Pacienti u diagnostikua për herë të parë me coronavirus në muajin prill, pasi zhvilloi dhimbje të fytit, kollë, dhimbje koke, vjellje dhe diarre. Gjendja e tij ishte përmirësuar më 27 prill, ndërkaq rezultoi dy herë negativ gjatë asaj kohe.

Ndonëse gjendja e tij ishte stabile për rreth një muaj, më 31 maj ai kishte dhimbje koke, ethe, marramendje, kollë dhe diarre. Kështu, pesë ditë më vonë, ai u shtrua në spital ku edhe u vendosë në oksigjeno-terapi. Pacienti u testua dhe pati rezultuar përsëri pozitiv me coronavirus.

Ndërkohë, studiuesit  i ekzaminuan materialet gjenetike të mostrave të virusit, dhe ranë në përfundimin se pacienti kishte pasur dy infeksione të dallueshme virale.

(Kosova Sot Online)