Venezuela kërkon vullnetarë për të testuar vaksinën ruse

  • A.P /
  • 31 August 2020 - 22:59
Venezuela kërkon vullnetarë për të testuar vaksinën ruse

Në një deklaratë të bërë Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro ka njoftuar se kërkon vullnetarë për të testuar vaksinën e zhvilluar nga Rusia kundër  Covid-19.

Rusia ishte vendi i parë i cili regjistroi në 11 gusht zyrtarisht një vaksinë kundër koronavirusit, mirëpo imunologët kanë ngritur shqetësime në lidhje me shpejtësinë me të cilën është zhvilluar dhe nëse i është nënshtruar testimeve të nevojshme.

Qeveria e Venezuelës, e cila ka marrë miliarda dollarë kredi nga Rusia për të mbështetur ekonominë e saj të trazuar, tha që do të ishte e gatshme të merrte pjesë në provat klinike.

“Në ditët në vijim, ne do të kërkojmë vullnetarë që të vaksinohen”- njoftoi Presidenti Maduro ditën e diel.

Gjithashtu ai tha se një bllokim mbarëkombëtar do të rifillojë ditën e hënë për të frenuar përhapjen e virusit.

Venezuela ka më pak se 50,000 raste të regjistruara të koronavirusit dhe 381 vdekje, një numër shumë herë më i ulët se vendet e tjera të rajonit.

Por ekspertët e shëndetit thonë se shifra e vërtetë mund të jetë shumë më e lartë pasi shumë venezuelianë nuk testohen nga frika. Qeveria fajësoi emigrantët e kthyer për përhapjen e Covid-19.

(Kosova Sot Online)