I akuzuari nga Malisheva pranon para gjykatës se ka vjedhur rrymën në vlerë prej 235 euro

  • G.G /
  • 08 September 2020 - 14:01
I akuzuari nga Malisheva pranon para gjykatës se ka vjedhur rrymën në vlerë prej 235 euro

I akuzuari për vjedhje të shërbimeve, Haxhi Kryeziu, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, e ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë.

Pasi që aktakuza është lexuar nga prokurorja Mone Syla, i akuzuari Kryeziu ka thënë se e ndien veten fajtor për këtë vepër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, Kryeziu ka kërkuar nga gjykata që ndaj tij të shqiptohet një dënim sa më i butë, me arsyetimin se veprën e ka kryer nga kushtet e vështira ekonomike.

Pranimi i fajësisë nuk është kundërshtuar nga prokurorja Syla, sipas të cilës një veprim i tillë ka mbështetje në provat e lëndës dhe është bërë në mënyrë vullnetare.

Gjykatësi i çështjes, Lulzim Paçarizi, e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 9 shtator 2020, në ora 11:00.

Me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 31 korrik 2019, Haxhi Kryeziu akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 9 mars 2019, në shtëpinë e tij në fshatin Pagarushë, Komuna e Malishevës, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për energji elektrike të Republikës së Kosovës, ka shfrytëzuar energjinë elektrike, duke u lidhur direkt  jashtë pikës matëse dhe me këto veprime e ka pamundësuar regjistrimin e saktë të energjisë elektrike.

Sipas aktakuzës, i akuzuari të dëmtuarës KEDS–Divizioni në Gjakovë i ka shkaktuar dëmin në vlerë prej 235.79 euro.

Sipas aktit akuzues me këto veprime i akuzuari Kryeziu, ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314, paragraf 6, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

(Kosova Sot Online)