Rusia nis fushatën e vaksinimit të popullatës, këto kategori do të vaksinohen të parët

  • E.K /
  • 09 September 2020 - 12:56
Rusia nis fushatën e vaksinimit të popullatës, këto kategori do të vaksinohen të parët

Shkencëtarët rusë pohojnë se fushata tek qytetarët do të jetë 1-vjeçare. “Porcioni i parë i vaksinës Sputnik V i ka kaluar të gjitha testet e nevojshme të cilësisë dhe është lëshuar për qarkullim civil”, thuhet në njoftimin e Ministrisë ruse të Shëndetësisë.

Të parët që pritet të vaksinohen janë punonjësit e shëndetësisë dhe mësuesit. Kjo erdhi pasi revista e njohur mjekësore “Lancet” publikoi një studim, me të cilin pohonte se vaksina krijon antitrupa kundër Covid-19 dhe se nuk ka efekte të rënda anësore.

Megjithatë ende ka dyshime të mëdha, pasi mendohet se shkencëtaret rusë anashkaluan disa faza të rëndësishme në arritjen e vaksinës. Qendra shtetërore kërkimore e mikrobiologjisë dhe epidemiologjisë “Gamaleya”, e cila mban autorësinë e saj, thotë se duhet të prodhohen 80 milionë doza për të arritur imunitetin e masës.

Për këtë ka kërkuar dhe ndihmën e Indisë për të rritur fuqinë prodhuese, në mënyrë që të mundësohet edhe furnizimi i shteteve të tjera. Deri më tani më shumë se 20 vende të botës kanë shprehur interesim për 1 miliard doza të vaksinës ruse. /a2/

(Kosova Sot Online)