I mbetur pa shtëpi nga tërmeti, kryefamiljari në Durrës 9 muaj në pritje të shtetit: Nuk po konsiderohemi as milingona

  • E.K /
  • 10 shtator 2020 - 10:07
I mbetur pa shtëpi nga tërmeti, kryefamiljari në Durrës 9 muaj në pritje të shtetit: Nuk po konsiderohemi as milingona

Edhe pse kanë kaluar rreth 9 muaj nga tërmeti tragjik i 26 Nëntorit 2019, ka ende familje që jetojnë në qiell të hapur.

Pavarësisht premtimeve të shumta nga qeveria për familjet e dëmtuara nuk ka ende dritë në fund të tunelit.

Një prej shumë rasteve të tilla është edhe ai i Sadik Resnjakut, i cili ende nuk ka gjetur zgjidhje për banesën e tij, por detyrohet të lëvizë me familjen e tij nga një shtëpi me qira në tjetrën.

Ai i është drejtuar disa herë Bashkisë së Durrësit por pa gjetur asnjë zgjidhje.

Kryetari i degës së Partisë Demokratike në Durrës, Ferdinand Xhaferraj u njoh nga afër me shqetësimin e tij.

Sadik Resnjaku: Që nga 26 Nentori e deri sot janë bërë 9 muaj. Dua të di, kur do fillojnë punimet se më vonë vjen dimër, jo nuk punohet se kohë e keqe, më the të thashë. U bëmë 9 muaj! Ngelëm me lecka në krah. Me qira duke ndërruar shtëpitë. Do bëhet, do bëhet, thotë bashkia. Kemi shkuar disa herë por të vihet pika mbi i, kur do fillojnë punimet. Se tërmeti vërtet ka rënë në shtëpi dhe falenderoj zotin që nuk na mori jetën, e kupton apo jo. Po na ka rënë dhe në tru! Nga ana psikike s’jemi në rregull hiç. Me pleq e me fëmijë të vogël. Gjatë verës që dalin milingonat në rrugë, për sytë e ballit nuk ju rrej, unë i kapërcej se edhe ato kanë shpirt, janë milingona. Ne as sa milingonat nuk konsiderohemi, qënia njerëzore. Kemi punuar një jetë të tërë. Kërkoj me insistim, bashkia të vihet në lëvizje t’i japi drejtim kësaj pune!

(Kosova Sot Online)