Turqia zhgënjen Greqinë: Anijen e larguam për mirëmbajtje e furnizim, s’e ndërrojmë politikën

  • E.K /
  • 14 September 2020 - 11:19
Turqia zhgënjen Greqinë: Anijen e larguam për mirëmbajtje e furnizim, s’e ndërrojmë politikën

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Cavusoglu, tha të hënën se anija eksploruese, që ishte duke operuar në Mesdheun lindor, është kthyer në bregdet për t’u furnizuar dhe për mirëmbajtje.

Sipas kryediplomatit turk, i cili foli për një televizion privat, kthimi i anijes “Oruc Reis” afër bregdetit nuk nënkupton ndryshim të politikës së Turqisë për eksplorimin e burimeve natyrore në rajon.

Cavusoglu gjithashtu tha se Turqia mund të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me Greqinë për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet rreth pjesës lindore të Mesdheut, por Ankaraja do të vendosë parakushte, nëse Athina bën një gjë të tillë paraprakisht.

Tensionet në rajon kanë qenë të larta që nga koha kur Turqia i vazhdoi operacionet për eksplorimin e burimeve të energjisë në ujërat e Mesdheut muajin e kaluar, pasi Greqia dhe Egjipti nënshkruan një marrëveshje detare.

Turqia vazhdimisht i ka kundërshtuar përpjekjet e Greqisë për shpalljen e një zone ekskluzive ekonomike bazuar në ishujt e vegjël afër bregdetit turk, shkruan Anadolu,

(Kosova Sot Online)