Rexhep Selimi: Ujmani është vetëm i yni, Kosova nuk fitoi asgjë në Uashingon
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në seancën e sotme ku Avdullah Hoti po raporton për marrëveshjen në Uashington, ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjes nuk i sjell asnjë të mirë Kosovës. ai tha se askush nuk e di çka u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë, madje sipas tij, as vetë Hoti
Selimi tha se Hoti nuk i solli Kosovës asnjë të mirë nga Shtëpia e Bardhë.
Ai tha se nuk e quan marrëveshje atë që u nënshkrua më 4 shtator në Uashington.
“Kjo çfarë bëri z.Hoti më së paku ose fare nuk është raportim. Me fjalë krejt boshe u mbështoll një hipokrizi apo demagogji. Çfarë marrëveshje u nënshkrua? Për çfarë marrëveshje po flisni? Unë s’mund ta quaj marrëveshje. Ajo çfarë pritëm, edhe e thatë, asgjë. Përveç njëfarë retorike që tenton të mbush hapësirën e zbrazët që po linin ë Kuvend”, tha Selimi.
“Ju thatë se është fitore e madhe e Kosovës, do të shohim çka fitoi Kosova. Nëse nuk keni sjellë asgjë nga Shtëpia e Bardhë, çka do të sillni nga Brukseli?”
Selimi tha se Kosova ka pasur raporte të mira me Izraelin, prandaj njohja nga ky shtet duhet të konsiderohet si njohje nga një vend mik.
“Pse e fusni Serbinë në mesin e vendeve që na kanë njohur dhe kemi marrëdhënie të mira, Serbia s’na ka njohur e as nuk e ka ndërmend të na njohë. Kurrkush s’ka folur keq për njohjen nga Izraeli, por s’e kemi raportin si me Izraelin si me Serbinë”, ka thënë Selimi.
Selimi ka akuzuar Hotin se ka nënshkruar në Uashington pa u konsultuar me Kuvendin e Kosovës.
Ai tha se askush nuk e di çka u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë, madje as vetë Hoti.
“Edhe pse kishit premtuar se nuk do të nënshkruani asgjë pa njoftuar Kuvendin, keni nënshkruar pa e njoftuar Kuvendin. Askush nuk e di çka keni nënshkruar, as ju vetë. Nëse paska fituar Kosova, çka fiton Kosova me Minishengenin, thuajeni këtu. A nuk jeni ju që e keni quajtur si një Jugosllavi e re bashkë me kryetarin tuaj? Nuk keni të drejtë ta quani Minishengen, sepse kjo marrëveshje nuk lindi në qytetin Shengen por në Novi Sad, quajeni Mini-Novi Sad””, ka thënë Selimi.
Selimi ka përmendur edhe liqenin e Ujmanit, për të cilin tha se ai është i Kosovës dhe nuk guxon të ndahet.
“Çka fiton Kosova nëse Serbia bëhet hisetar në Ujmanin e Kosovës, po ua them edhe një herë, është vetëm i Kosovës dhe nuk guxon të ndahet. Nëse paska fituar Kosova nga kjo marrëveshje, çka është ai vendi ku kërkohen dokumentet që kërkohen dokumentet në Merdarë, për juve a është vendkalim i përbashkët, apo pikë kufitar? Sepse ju e quani vendkalim i përbashkët. Kryeministri i vendit nuk i njeh kufijtë e vendit të cilin e udhëheq”, ka thënë Selimi në seancën e sotme.
(Kosova Sot Online)