Azerbajxhani ia rrëzon një dron Armenisë

  • E.K /
  • 21 September 2020 - 11:13
Azerbajxhani ia rrëzon një dron Armenisë

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit njoftoi të hënën herët se e ka rrëzuar një dron të ushtrisë së Armenisë.

Përmes një deklarate, kjo ministri njoftoi se droni u rrëzua të dielën në mbrëmje përderisa po kryente aktivitet vëzhgues në territorin e Azerbajxhanit, shkruan Anadolu.

Në deklaratë nuk u tregua vendi i saktë se ku u rrëzua droni, por disa persona në rrjetet sociale pretenduan se ngjarja ndodhi në provincën Shamkir, e cila shtrihet në pjesën perëndimore të vendit.

Ky nuk ishte droni i parë i shkatërruar nga forcat e Azerbajxhanit që nga rritja e tensioneve mes dy vendeve në korrik.

Ushtria e Armenisë më 12 korrik e shkeli armëpushimin duke i sulmuar pozicionet e forcave azere dhe duke u tërhequr pas pësimit të humbjeve të mëdha nga kundërsulmi i ushtrisë së Azerbajxhanit.

Gjatë atij sulmi, Armenia i vrau 12 ushtarë të Azerbajxhanit, përfshirë disa zyrtarë të lartë, si dhe plagosi katër të tjerë.

Azerbajxhani e ka fajësuar Armeninë për veprime provokuese, ndërsa Turqia i ka ofruar përkrahje Azerbajxhanit, duke e paralajmëruar Armeninë se nuk do të ngurrojë të dalë kundër çfarëdo sulmi ndaj fqinjit lindor.

(Kosova Sot Online)