Krasniqi: Kemi plane konkrete për t’u përballur me valën e dytë të koronavirusit

  • E.K /
  • 22 September 2020 - 10:46
Krasniqi: Kemi plane konkrete për t’u përballur me valën e dytë të koronavirusit

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, në një konferencë me kryeministrin Avdullah Hoti dhe ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se kanë plane konkrete për ecjen më tutje në menaxhimin e pandemisë, por edhe të sistemit shëndetësor në përgjithësi.

Krasniqi tha se pandemia i ka vënë në pah nevojat e sistemit shëndetësor në Kosovë, ndërsa ka theksuar se kanë plane konkrete për ta përballuar edhe valën e dytë të pandemisë, duke e përmendur dimrin si periudhën kur mund të fillojë kjo valë.

“Ne tani kemi plane konkrete për ecjen më tutje. Kemi plane për përgatitje më të mira për ta përballuar pandeminë. Siç e dini, ministri i Shëndetësisë, edhe me përkrahjen e juaj ka marrë vendim që ndërtesa e Klinikës Emergjente të destinohet për trajtimin e rasteve klinike me COVID në dimër nëse na paraqitet një valë e tillë. Po ashtu, tash ne kemi përvojën e organizimit të të gjitha spitaleve dhe klinikave tjera në menaxhimin e këtyre rasteve”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka paralajmëruar edhe shtimin e shërbimeve të reja shëndetësore në vend.

(kosova Sot Online)